Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist i fton qytetarët të lënë punën, shtëpinë dhe klasën për t'iu bashkuar protestës. Organizatoret paralajmërojnë se nuk do të ndalen derisa kërkesat e tyre të plotësohen.

Rruga mbetet arena e protestës. Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist ka njoftuar një tubim të ri të enjten, në orën 16:00, në sheshin "Zahir Pajaziti", me kërkesën për drejtësi për Arlindën dhe për të gjitha gratë e vrara.
"Do të mblidhemi prapë për të kërkuar drejtësinë që Arlinda na e la amanet dhe drejtësi për të gjitha gratë e vrara", thuhet në njoftimin e kolektivit, i cili e paraqet protestën si vazhdim të mobilizimit të deritanishëm.
Të enjten, toni ashpërsohet. Organizatoret paralajmërojnë se do të dalin rrugëve dhe do t'i bllokojnë institucionet, "sepse është momenti i fundit që ky shtet të japë llogari". Thirrja drejtuar qytetarëve është e drejtpërdrejtë: "Dilni nga puna, nga shtëpia e nga klasa e na u bashkoni sërish."
Kolektivi bën të qartë se nuk synon një tubim të vetëm. "Do të vazhdojmë të protestojmë deri kur kërkesat tona të plotësohen", thuhet në njoftim, ku kërkohet edhe "organizim e solidarizim kombëtar", me mesazhin përmbyllës: "Për siguri e liri për gratë e gjalla, e drejtësi për gratë e vrara".
Një grua nga Sfaracaku i Vushtrrisë duhej të nisej për në Gjermani më 1 prill 2019, por familja nuk ka dëgjuar më asgjë për të. Vëllai ngre dyshime për rrethanat e zhdukjes, ndërsa avokati thotë se hetimet janë pezulluar.

