Shteti i Kosovës do të hyjë me strategji të veçantë në betejën e apelit të krerëve të UÇK-së para Dhomave të Specializuara. Grupi punues që do ta hartojë atë mbajti mbledhjen e parë nën drejtimin e Glauk Konjufcës.

Institucionet e Kosovës kanë hedhur hapin e parë konkret për të mbështetur krerët e UÇK-së në procedurën e apelit para Dhomave të Specializuara në Hagë. Glauk Konjufca, zëvendëskryeministër dhe ministër i Punëve të Jashtme, njoftoi përmes një postimi se ka kryesuar mbledhjen konstituive të Grupit Punues për hartimin dhe harmonizimin e Strategjisë Shtetërore lidhur me procedurat e apelit para Dhomave të Specializuara në Hagë.
Në këtë takim të parë u vendosën bazat e punës. "Në këtë mbledhje diskutuam drejtimet kryesore të strategjisë, caktuam grupet përgjegjëse për hartimin e saj, dhe përcaktuam planin e përgjithshëm të punës. Angazhimi ynë është që krerët e luftës sonë çlirimtare ta kenë mbështetjen e plotë të shtetit të Kosovës në betejën e tyre në apel", deklaroi Konjufca.
Grupi punues nuk lindi papritur. Konjufca e paraqiti atë si vazhdim të dy vendimeve institucionale: deklaratës së Kuvendit të Kosovës të 28 shtatorit dhe vendimit të Qeverisë të 14 tetorit. Për deklaratën parlamentare ai shkroi: "Deklarata e Kuvendit të Republikës së Kosovës e 28 shtatorit shprehu vullnetin tonë të përbashkët për ta kundërshtuar aktgjykimin e padrejtë ndaj krerëve të UÇK-së dhe për ta mbrojtur të vërtetën e luftës sonë çlirimtare."
Angazhimi, sipas tij, nuk do të kufizohet vetëm te salla e gjyqit. "Krahas kësaj mbështetjeje, do ta mbrojmë me vendosmëri të vërtetën e luftës sonë çlirimtare në arenën ndërkombëtare dhe do të kundërshtojmë çdo përpjekje për shtrembërimin e saj", tha zëvendëskryeministri.
Konjufca u bëri thirrje edhe institucioneve dhe partive politike që të mos ndahen në këtë çështje. "UÇK-ja na bashkon të gjithëve përtej dallimeve, sepse lufta e saj çlirimtare qëndron në themelet e lirisë dhe të shtetit tonë. Në këtë betejë, të gjitha institucionet e Republikës dhe forcat politike kanë përgjegjësi dhe do të qëndrojnë të bashkuara, me përkushtimin dhe vendosmërinë që kërkon mbrojtja e një të drejte historike të popullit tonë", u shpreh ai.
Përbërja e grupit punues, përmbajtja e strategjisë dhe afatet për përfundimin e saj ende nuk janë bërë publike.
Një grua nga Sfaracaku i Vushtrrisë duhej të nisej për në Gjermani më 1 prill 2019, por familja nuk ka dëgjuar më asgjë për të. Vëllai ngre dyshime për rrethanat e zhdukjes, ndërsa avokati thotë se hetimet janë pezulluar.

