Njëzet të pandehur për krime lufte kundër popullsisë civile do të përballen me drejtësinë e Kosovës pa qenë të pranishëm në sallë. Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar seancën e parë për 21 dhjetor dhe u bën thirrje atyre të dorëzohen.

Njëzet persona të akuzuar për krime lufte kundër popullsisë civile do të gjykohen pa qenë të pranishëm në sallë. Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar për 21 dhjetor 2026, nga ora 09:30, seancën e shqyrtimit fillestar në mungesë ndaj tyre.
Në qendër të procesit është aktakuza që Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ngriti më 6 gusht 2026. Ishte pikërisht prokuroria ajo që kërkoi që çështja të shkojë përpara pa të pandehurit, të cilët deri tani nuk janë gjetur. Në njoftimin e Gjykatës thuhet: "Sipas propozimit të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, gjykimi në këtë çështje do të zhvillohet në mungesë të të pandehurve, për shkak se të njëjtit kanë qenë të paarritshëm deri në momentin e ngritjes së aktakuzës."
Gjykata u drejtohet drejtpërdrejt vetë të akuzuarve: "Për këtë arsye, përmes kësaj komunikate u bëhet thirrje të pandehurve që të paraqiten dhe të dorëzohen para organeve të ndjekjes së Republikës së Kosovës."
Një apel i dytë i drejtohet publikut. "Gjithashtu, u bëhet thirrje të gjithë personave që posedojnë informacione relevante lidhur me vendndodhjen e të akuzuarve, që t’i komunikojnë këto informacione Policisë së Kosovës apo organeve të tjera kompetente", thuhet në njoftim.
Seanca do të zhvillohet në Pallatin e Drejtësisë në Hajvali, në Objektin D, kati i parë, gjykatorja nr. 27, dhe do të drejtohet nga kryetari i trupit gjykues. Të pandehurit konsiderohen të pafajshëm derisa gjykata të vendosë ndryshe me vendim të formës së prerë.
Shteti i Kosovës do të hyjë me strategji të veçantë në betejën e apelit të krerëve të UÇK-së para Dhomave të Specializuara. Grupi punues që do ta hartojë atë mbajti mbledhjen e parë nën drejtimin e Glauk Konjufcës.

