Organi Shqyrtues i Prokurimit ka konstatuar se Komuna e Prishtinës nuk e ka zbatuar një vendim të tij për një tender ndërtimi dhe paralajmëron se, pa zbatim brenda pesë ditësh, do të kërkojë anulimin e licencës së zyrtarit përgjegjës.

Ndërtimi i tribunës së stadiumit “Flamurtari” në Hajvali ka mbetur i ngërthyer në një zinxhir ankesash dhe vendimesh të përsëritura, pasi Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP) ka konstatuar se Komuna e Prishtinës nuk e ka respektuar një urdhër të tij dhe ka paralajmëruar masën më të rëndë ndaj zyrtarit të prokurimit: kërkesën për anulimin e licencës.
Në qendër të rastit është tenderi për “Ndërtimin e tribunës Flamurtari”, me vlerë të parashikuar 142 mijë e 733 euro, i cili menaxhohet nga Komuna e Prishtinës si autoritet kontraktues, e udhëhequr nga Përparim Rama.
Sipas Panelit Shqyrtues të OSHP-së, Komuna e Prishtinës, zyrtari përgjegjës i prokurimit dhe komisioni i rivlerësimit nuk kishin vepruar sipas një vendimi paraprak të organit, por kishin vazhduar me të njëjtin veprim edhe pasi tenderi ishte kthyer në rivlerësim. “Paneli vlerëson se Autoriteti Kontraktues – ‘Komuna e Prishtinës’, zyrtari përgjegjës i prokurimit dhe komisioni i rivlerësimit gjatë vlerësimit, ekzaminimit dhe krahasimit të tenderëve, nuk e kanë respektuar në përpikëri Vendimin e OSHP-së nr. 2026/0275 të datës 21.05.2026”, thuhet në vendim. Sipas Panelit, Komuna, pasi e kishte kthyer lëndën në rivlerësim, kishte vazhduar “duke e bërë të njëjtin veprim”.
OSHP-ja konstaton se me këtë veprim zyrtari përgjegjës i prokurimit ka vepruar në kundërshtim me nenin 97 të Rregullores për Prokurim Publik, ndërsa në vendim theksohet se mosrespektimi i vendimeve të OSHP-së konsiderohet shkelje e rëndë në prokurimin publik.
Rasti u kthye sërish në OSHP pas ankesës së kompanisë N.T.SH. “AR-DRITI”. Më 14 gusht 2026, Paneli Shqyrtues e aprovoi si të bazuar ankesën e kësaj kompanie dhe anuloi njoftimin mbi vendimin e Komunës së Prishtinës, duke e kthyer aktivitetin e prokurimit përsëri në rivlerësim. Njëkohësisht, organi e obligoi Komunën ta zbatonte vendimin e mëparshëm nr. 2026/0275 të 21 majit 2026 dhe e urdhëroi që brenda pesë ditësh ta njoftonte OSHP-në për zbatimin.
Në rast mosrespektimi, OSHP paralajmëroi se do të vepronte sipas nenit 131 të Ligjit për Prokurimin Publik dhe do t’i kërkonte Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik (KRPP) anulimin e licencës së zyrtarit përgjegjës të prokurimit të Komunës.
Dokumentacioni i siguruar për këtë procedurë tregon se për kontratë është rekomanduar Grupi i Operatorëve Ekonomikë DachGroup SH.P.K. dhe Papi.S Construction SH.P.K., me ofertë prej 123.456,78 euro me TVSH. Sipas dokumenteve, pas rivlerësimit kontrata i është dhënë po këtij grupi. I njëjti grup ishte rekomanduar edhe më herët: më 23 qershor Komuna kishte publikuar njoftimin ku për kontratë propozohej DachGroup dhe Papi.S Construction, vendim ndaj të cilit “AR-DRITI” kishte vazhduar procedurat ankimore.
Në arsyetimin e vendimit, Paneli Shqyrtues është kategorik se vendimet e OSHP-së janë të detyrueshme për autoritetet kontraktuese dhe për të gjitha palët në procedurë, duke mbështetur shpjegimet dhe rekomandimin e ekspertit shqyrtues për kthimin e tenderit në rivlerësim. Kështu, procedura për tribunën e “Flamurtarit” mbetet e shoqëruar me ankesa, anulim të vendimit të Komunës dhe urdhra të përsëritur për rivlerësim.
Pushime të ndërprera, togje rezervë nga gjashtë qytete, patrulla para ambasadave dhe një ekip zjarrfikësish në parkingun e EULEX-it: plani operacional i Policisë së Kosovës për ditën kur Dhomat e Specializuara pritet të shpallin aktgjykimin ndaj Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit.

