Mostrat e qymyrit të Kosovës duhet të udhëtojnë mbi 1,200 kilometra deri në Pragë dhe rezultatet të kthehen brenda 24 orësh. Kontratat mbi 850 mijë euro i fitoi një kompani nga Tirana, laboratori i së cilës, sipas autoritetit shqiptar të akreditimit, nuk është i akredituar për qymyr, hi, zgurë e naftë.

Korporata Energjetike e Kosovës, një nga shpenzuesit më të mëdhenj të parasë publike në vend, ka lidhur kontrata në vlerë prej mbi 850 mijë eurosh për analiza laboratorike të qymyrit, hirit, zgurës, naftës dhe mazutit me kompaninë ECCAT nga Tirana. Sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Akreditimit në Shqipëri, laboratori i kësaj kompanie nuk është i akredituar pikërisht për materialet që janë objekt i kontratës.
Autoriteti shqiptar i akreditimit ka verifikuar fushën e akreditimit të laboratorit dhe ka konstatuar se qymyri, zgura dhe hiri nuk përfshihen në të. "Qymyri (thëngjilli) nuk rezulton të jetë i përfshirë si matricë/material në fushën e akreditimit të laboratorit", thuhet në përgjigjen e institucionit. Përfundimi vlen edhe për mbetjet e djegies: "Për sa më sipër, analizat për qymyrin (thëngjillin), zgurën (hirin e rëndë/bottom ash) dhe hirin fluturues (fly ash) nuk mbulohen nga fusha e akreditimit të laboratorit ECCAT sh.p.k." I njëjti institucion ka deklaruar se laboratori nuk është i akredituar as për analiza të naftës, derivateve të naftës, mazutit dhe vajrave industrialë.
KEK-u zhvillon mesatarisht rreth 1,300 procedura prokurimi në vit. Tenderi për analizat laboratorike të materialeve që përdoren dhe prodhohen nga korporata ishte ndarë në tri lote. Loti i parë, me vlerë rreth 820 mijë euro, kishte të bënte me analizat e qymyrit, hirit dhe zgurës dhe iu dha kompanisë ECCAT. E njëjta kompani mori edhe lotin e dytë, për analizat e naftës dhe mazutit, me vlerë rreth 50 mijë euro.
Pjesa më e diskutueshme e dosjes është logjistika. Sipas dokumentacionit të tenderit, analizat e qymyrit do të kryheshin duke i dërguar mostrat në Republikën Çeke, ndërsa rezultatet duhej të dorëzoheshin brenda 24 orësh. Adresa e laboratorit në Çeki figuron në Pragë, më shumë se 1,200 kilometra larg Kosovës. Gjatë një periudhe trevjeçare, kjo do të thoshte transport i mijëra mostrave nga Kosova drejt Çekisë.
Çështjen e ngriti gjatë procedurës një nga operatorët ekonomikë pjesëmarrës, duke vënë në pikëpyetje se si mund të organizohej ky transport brenda afatit njëditor. Përgjigjja e KEK-ut ishte prerëse. "Pretendimi i juaj është spekulativ, i pambështetur në asnjë dispozitë të DT dhe në asnjë provë teknike, dhe përbën interpretim të njëanshëm që nuk mund të shërbejë si bazë për cenimin e vlefshmërisë së ofertës", thuhej në përgjigjen e korporatës. Për vetë organizimin e transportit, KEK-u u shpreh: "Për këtë çështje duhet të brengoset operatori ekonomik, nëse shpërblehet me kontratë."
E pyetur për mungesën e akreditimit për analizat e naftës, përfaqësuesja e ECCAT-it la të kuptohet se kompania mund të ketë nënkontraktorë. "Po sepse ndoshta janë futur… ndoshta janë futur me nënkontraktor edhe unë nuk është se jam në dijeni për këtë. Kështu që më lejo t'i pyes, se nëse ata janë futur me nënkontraktor janë në rregull", tha ajo. Në dokumentet e siguruara nuk figuronte që kompania të kishte marrë pjesë në tender si konsorcium, ndërsa përfaqësuesja e saj sugjeroi që çështja t'i drejtohej zyrës përkatëse të prokurimit.
Në një përgjigje me shkrim, kompania nuk iu përgjigj konkretisht pyetjeve të parashtruara. "Lidhur me procedurën e prokurimit të KEK-ut, dëshirojmë të sqarojmë se ECCAT është kompani private dhe nuk është institucion publik apo autoritet kontraktor. Për këtë arsye, nuk kemi detyrim t'u përgjigjemi në mënyrë të përsëritur kërkesave telefonike të personave të panjohur e të ndryshëm lidhur me këtë çështje", thuhet në përgjigjen e ECCAT-it.
Dhënia e kontratës u kundërshtua edhe nga operatorë të tjerë ekonomikë. Kompania "Horn & Co. Analytics" paraqiti ankesë në Organin Shqyrtues të Prokurimit, duke ngritur ndër të tjera çështjen e kapaciteteve organizative për dërgimin e mostrave në Çeki. Në këtë procedurë u angazhua eksperti shqyrtues Bujar Kuqi, i cili në raportin e tij rekomandoi anulimin e kontratës.
Pushime të ndërprera, togje rezervë nga gjashtë qytete, patrulla para ambasadave dhe një ekip zjarrfikësish në parkingun e EULEX-it: plani operacional i Policisë së Kosovës për ditën kur Dhomat e Specializuara pritet të shpallin aktgjykimin ndaj Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit.

