Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme thotë se dy zyrtarë policorë janë pezulluar pas një ankese, ndërsa ngërthen presidentin serb Vuçiç me zbulimin e tri varrezave masive dhe 71 armëve të gjata.

Dy zyrtarë policorë janë pezulluar pas një ankese të lidhur me rastin e Nenad Rashkoviqit, ka bërë të ditur ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla. Sipas tij, çështja i është besuar për hetim Inspektoratit Policor të Kosovës.
"Patjetër, në momentin që ne jemi njoftuar për këtë ankesë, Inspektorati Policor i Kosovës është angazhuar në hetimin e këtij rasti. Tashmë ju e dini se ky inspektorat ka rekomanduar dhe eprorët e policisë kanë realizuar pezullimin e dy zyrtarëve policorë. Në momentin që kemi përfundim të hetimeve, gjithsesi publiku ynë do të jetë i informuar mbi të gjeturat dhe masat eventuale ndaj cilitdo", tha Sveçla.
Ministri e vendosi rastin në kontekstin e besueshmërisë institucionale. "Republika e Kosovës rangohet në vendet më demokratike tashmë. Policia e Kosovës është institucioni me besueshmërinë më të madhe te qytetarët e saj. Kjo ndodh edhe për shkak se kemi instrumente që garantojnë sjelljen e secilit pjesëtar të policisë, por edhe të secilit zyrtar të Republikës së Kosovës", theksoi ai.
Në po të njëjtën deklaratë, Sveçla ndërkohë sulmoi presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, të cilin e akuzoi se po e shfrytëzon rastin për të zhvendosur vëmendjen nga zbulime që i cilësoi të tmerrshme. "Dua të përmend po ashtu sjelljen absolutisht të papranueshme të Presidentit Vuçiç, i cili një pretendim tenton ta shfrytëzojë për minimizimin e veprimeve të shtetit të Serbisë në luftën e fundit në Kosovë, për tërheqjen e vëmendjes nga të gjeturat të cilat janë të tmerrshme. Domethënë kemi zbuluar tri varreza masive, kemi zbuluar 71 armë të gjata", deklaroi ministri.
Sveçla i bëri thirrje presidentit serb të hapë arkivat. "Në vend se Aleksandar Vuçiç të premtojë bashkëpunim, të hapë arkivat e Serbisë për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë, ai mundohet që përmes retorikës së tij të devijojë thelbin e çështjes", tha ai.
Ministri premtoi se hetimet do të vazhdojnë në të gjitha drejtimet. "Ne punën tonë do ta kryejmë. Qoftë në të dy rastet që i përmenda, i përmendëm së bashku, qoftë edhe në hetimin e këtij pretendimi. Por është koha e fundit dhe Vuçiç duhet të jetë adresa e fundit që ai të ankohet, por duhet të veprojë në mënyrë që plagët e shumë familjeve të personave të zhdukur me dhunë të fillojnë të shërohen", u shpreh Sveçla.
Në sfond të deklaratës qëndron edhe çështja e armatimit të gjetur në veri të Kosovës. Sipas raportimeve, arsenali u zbulua në Zubin-Potok, ndërsa dyshohet për një lidhje të mundshme me vrasjen e 23 intelektualëve; hetimet do të përqendrohen te 12 lokacione dhe lidhja me 23 persona.
Pushime të ndërprera, togje rezervë nga gjashtë qytete, patrulla para ambasadave dhe një ekip zjarrfikësish në parkingun e EULEX-it: plani operacional i Policisë së Kosovës për ditën kur Dhomat e Specializuara pritet të shpallin aktgjykimin ndaj Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit.

