Dy dronë goditën një qendër tregtare në qytetin qendror ukrainas Kryvyj Rih, i dyti gjysmë ore pas të parit. Presidenti Zelenski e cilësoi sulmin akt terrorist dhe premtoi përgjigje.

Ditën e 1640-të të luftës në Ukrainë, një qendër tregtare në qytetin qendror ukrainas Kryvyj Rih u godit nga dy dronë rusë, në një sulm që sipas autoriteteve lokale la të vdekur dhe mbi njëqind të plagosur, mes tyre shumë fëmijë.
Sipas presidentit ukrainas Volodimir Zelenski, në sulm humbën jetën 14 persona dhe u plagosën mbi 100, ndër ta 11 fëmijë. Autoritetet lokale raportuan më shumë se 120 të plagosur, ndërsa guvernatori rajonal Oleksandër Hanja tha se mes të lënduarve ishin 22 fëmijë. Shefi i Këshillit të Mbrojtjes së Kryvyj Rih, Oleksandër Vilkul, njoftoi se në vendngjarje shpërtheu zjarr dhe nisi një operacion urgjent shpëtimi, duke shtuar se 20 nga të plagosurit ishin në gjendje të rëndë dhe në sallë operacioni.
Zelenski e përshkroi sulmin si "plotësisht cinik dhe të poshtër", duke theksuar se droni i dytë goditi qendrën tregtare gjysmë ore pas të parit, me qëllim që të godiste pjesëtarët e shërbimeve emergjente. "Sulme të tilla nuk janë asgjë tjetër veçse akte terroriste", shkroi presidenti ukrainas. Në një reagim tjetër, ai u shpreh: "Barbari absolute ruse. Ata janë thjesht përbindësha. Do të përgjigjemi me siguri." Zelenski shtoi se operacioni i shpëtimit ishte ende në zhvillim dhe u shprehu ngushëllime familjeve të viktimave: "Është e rëndësishme që bota të mos heshtë për të gjitha këto. Lufta ruse duhet të përfundojë dhe na nevojitet ndihma e botës për ta arritur këtë."
Sulmi mbi Kryvyj Rih nuk ishte i vetmi. Në rajonin e Mikolaivit, të paktën katër persona, mes tyre tre fëmijë, humbën jetën dhe një grua u plagos në një sulm me dron, sipas mediave shtetërore ukrainase. Në rajonin e Harkivit, kreu i administratës Oleg Sinehubov njoftoi se katër persona u vranë nga një dron që goditi fshatin Lebjazhe. Ditën e mëparshme, një sulm i vetëm kishte lënë 17 të vdekur, arsye për të cilën Kievi shpalli ditë zie.
Në planin diplomatik, zëvendësministri rus i Punëve të Jashtme, Sergej Rjabkov, tha se Rusia është e gatshme të dëgjojë ide të reja nga sekretari amerikan i Shtetit, Marko Rubio, por me kushtin e respektimit të "realiteteve në terren".
Ndërkohë, tensionet u ndjenë edhe në veri të Evropës. Ministria e Punëve të Jashtme e Finlandës thirri ambasadorin rus dhe kërkoi shpjegime pas dyshimeve se një avion rus zbulues i tipit IL-20 kishte cenuar hapësirën ajrore finlandeze. Sipas rojës kufitare finlandeze, avioni qëndroi rreth tre minuta në hapësirën ajrore mbi pjesën perëndimore të Gjirit të Finlandës, duke hyrë deri në rreth 8,7 kilometra thellë. Ministri finlandez i Mbrojtjes, Anti Hakanen, deklaroi se "çdo dyshim për cenim të hapësirës ajrore merret seriozisht". Finlanda, që ndan me Rusinë një kufi prej rreth 1.340 kilometrash, u bë anëtare e NATO-s në prill të vitit 2023, duke braktisur një politikë disadekadëshe të mospërkatësisë ushtarake.
Pushime të ndërprera, togje rezervë nga gjashtë qytete, patrulla para ambasadave dhe një ekip zjarrfikësish në parkingun e EULEX-it: plani operacional i Policisë së Kosovës për ditën kur Dhomat e Specializuara pritet të shpallin aktgjykimin ndaj Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit.

