Ueb-faqja qeveritare konsumatori.rks-gov.net ka rënë pas një sulmi kibernetik. Ministria thotë se po punon për ta rikthyer dhe ka udhëzuar qytetarët të dërgojnë ankesat me email dhe Viber.

Platforma online ku qytetarët e Kosovës paraqesin ankesat si konsumatorë ka dalë jashtë funksionit pas një sulmi kibernetik. Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI) njoftoi të hënën se ueb-faqja konsumatori.rks-gov.net është bërë cak i sulmit gjatë ditës.
Sipas njoftimit të ministrisë, aktualisht po punohet për rikthimin dhe funksionalizimin e plotë të faqes. Deri atëherë, shërbimet online mbeten të pamundura dhe qytetarët janë udhëzuar t'i drejtojnë ankesat dhe kërkesat përmes kanaleve alternative.
"Ankesat mund të dërgohen në adresën elektronike konsumatori@rks-gov.net, ndërsa qytetarët mund të kontaktojnë edhe përmes Viber-it në numrin +383 (0) 46 311-000", thuhet në njoftimin e MINTI-t.
Ministria nuk ka dhënë detaje të tjera lidhur me natyrën e sulmit, autorët e mundshëm apo nëse nga incidenti janë prekur të dhënat e përdoruesve. Në fund të komunikatës, MINTI ka falënderuar qytetarët për mirëkuptimin dhe ka bërë të ditur se mbetet në dispozicion përmes kanaleve alternative deri në rikthimin e ueb-faqes.
Pushime të ndërprera, togje rezervë nga gjashtë qytete, patrulla para ambasadave dhe një ekip zjarrfikësish në parkingun e EULEX-it: plani operacional i Policisë së Kosovës për ditën kur Dhomat e Specializuara pritet të shpallin aktgjykimin ndaj Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit.

