Ish-togeri i Policisë së Kosovës, i shpallur fajtor se u dërgoi dokumente të klasifikuara zyrtarëve të inteligjencës serbe, do të vuajë 5 vite e 6 muaj burg në vend të 6 viteve. Gjykata e Apelit vlerësoi se pranimi i hershëm i fajësisë nuk ishte peshuar sa duhet.

Gjashtë muaj më pak burg për një vepër që gjykatat e kanë cilësuar si sulm ndaj rendit kushtetues të Kosovës. Gjykata e Apelit ia ka ulur dënimin ish-togerit të Policisë së Kosovës, B. J., nga 6 vite në 5 vite e 6 muaj burgim për spiunazh, ndërsa ka lënë në fuqi gjobën prej 2,000 eurosh për armëmbajtje pa leje.
Në dënimin e ri do t'i llogaritet koha e kaluar në paraburgim, ku ndodhet që nga 17 korriku i vitit 2025, deri në plotfuqishmërinë e aktgjykimit. Sipas Apelit, aktgjykimi i shkallës së parë ndryshohet vetëm në pjesën që ka të bëjë me dënimin për spiunazh, kurse pjesët e tjera mbeten siç ishin.
Çështja kishte marrë kthesë në maj të vitit 2026, kur Gjykata e Prishtinës miratoi marrëveshjen për pranimin e fajësisë. Atëherë ish-togeri u dënua me 6 vite burg për spiunazh dhe me 2,000 euro gjobë për armëmbajtje pa leje, si dhe me një dënim plotësues: ndalim të ushtrimit të funksionit në administratën publike për 5 vite.
Akuza ishte e rëndë. Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) njoftoi më 8 maj 2026 se kishte ngritur aktakuzë për spiunazh dhe armëmbajtje pa leje. Sipas prokurorisë, zyrtari policor me gradën toger, nga një periudhë e pacaktuar deri më 17 korrik 2025, dyshohej se "në mënyrë të vazhdueshme dhe me dashje ka mbledhur dhe u ka dërguar zyrtarëve të Shërbimit Inteligjent të Serbisë dokumente zyrtare të klasifikuara që ndërlidhen me sigurinë kombëtare dhe rendin kushtetues të Republikës së Kosovës."
Dosja e prokurorisë përshkruan edhe përmbajtjen e këtyre të dhënave: informacione dhe veprime policore që lidhen me sigurinë e shtetit. Në kërkesën për paraburgim thuhej se B. J., në cilësinë e shefit të sektorit të Operativës në pikën kufitare me Serbinë "Dheu i Bardhë" në Kamenicë, i kishte siguruar një agjenti të BIA-s, shërbimit serb të inteligjencës, qasje në kompjuterin e tij.
Gjatë seancës në Apel, më 6 tetor 2026, i pandehuri u shpreh i penduar. "Jam pendu për veprimet e mia, siç e keni pa, pranimin e fajësisë e kam bo para se me fillu hetimet. Në Policinë e Kosovës punoj prej kur është formu Policia e Kosovës, në atë kohë prej popullit tem kam duru shumë nënçmime", tha ai para kolegjit.
Kolegji me tre gjyqtarë nuk gjeti shkelje thelbësore të procedurës penale në aktgjykimin e Themelores, as shkelje të ligjit penal në dëm të të pandehurit. Megjithatë, i dha të drejtë mbrojtjes në ankesën për dënimin. Apeli pranoi se gjykata e shkallës së parë kishte vlerësuar drejt peshën e veprës dhe pasojat e saj serioze, si vepër kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës, por konstatoi se 6 vite burg ishin dënim i rëndë.
Në qendër të arsyetimit qëndron pranimi i fajësisë që në fazën e hershme të hetimit, një rrethanë sipas Apelit "të cilës nuk i është dhënë rëndësia e duhur" nga Themelorja. Krahas saj, gjykata përmendi bashkëpunimin me organet shtetërore, mungesën e dënimeve të mëparshme, rrethanat personale dhe familjare, faktin se është baba i tre fëmijëve dhe pendimin e thellë për veprën. Të marra së bashku, sipas aktgjykimit, këto rrethana tregojnë se qëllimi i dënimit, i parashikuar në nenin 38 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, mund të arrihet edhe me një dënim më të ulët.
Dy vetura u përfshinë pak para mesnatës në një aksident të rëndë në Lakrishtë, në Prishtinë. Policia doli menjëherë në vendngjarje, ndërsa ende nuk dihet nëse ka të lënduar.

