Nga UÇK-ja dhe Policia e Kosovës, te zgjedhjet, dëshmitarët e Gjykatës Speciale dhe një dokument të quajtur "Top sekret 2": aktakuzat e Prokurorisë Speciale zbulojnë gamën e informacioneve që dyshohet se u mblodhën për shërbimin sekret serb.

Në pak më shumë se dy vjet, Kosova ka arrestuar një sërë personash nën dyshimin se punonin për Agjencinë e Sigurisë dhe Informacionit të Serbisë, BIA. Të vendosura pranë njëra-tjetrës, aktakuzat vizatojnë një hartë interesi tepër të gjerë: Policia e Kosovës, Agjencia e Kosovës për Inteligjencë (AKI), zhvillimet politike, procesi zgjedhor, pjesëtarë të komuniteteve të caktuara dhe individë me ndikim.
Një prej rasteve më të reja pritet të nisë të gjykohet më 7 shtator në Gjykatën Themelore në Prishtinë. Fatmir Sheholli akuzohet për spiunazh dhe shantazh. Prokuroria Speciale e Kosovës pretendon se ai ishte rekrutuar nga BIA dhe se mblidhte informacione për zhvillimet politike, gjendjen e sigurisë dhe funksionimin e institucioneve të Kosovës. Sipas aktakuzës, ai dyshohet se ka marrë pjesë edhe në një plan për komprometimin e zyrtarëve të Kosovës dhe për ndërhyrje në zgjedhjet lokale të vitit 2025.
Në telefonin e tij, sipas Prokurorisë, u gjet fotografia e një dokumenti me titullin "Top sekret 2", përmbajtja e të cilit pretendon ekzistencën e një plani për përdorimin e fesë islame për përçarjen e shqiptarëve dhe për ndryshimin e perceptimit të Perëndimit për Kosovën. Autorësia dhe autenticiteti i dokumentit nuk janë sqaruar publikisht. Bashkësia Islame e Kosovës i ka mohuar pretendimet e përmbajtjes së tij dhe ka kërkuar hetimin e origjinës e të vërtetësisë së dokumentit. Publikimi i tij nxiti reagime dhe përplasje në rrjetet sociale, përfshirë pretendime për lidhje mes BIA-s dhe pjesëtarëve të komunitetit mysliman në Kosovë.
Aktakuzat e tjera tregojnë se çfarë tipi informacioni dyshohet se ishte kërkuar. Bedri Shabani dhe Muharrem Qerimi akuzohen se kanë mbledhur dhe përcjellë të dhëna që lidheshin me UÇK-në, Policinë e Kosovës dhe AKI-në. Sipas aktakuzës, Shabani kishte mbledhur edhe materiale për masakrën e Reçakut, ndërsa Qerimi informacione për dëshmitarë të Gjykatës Speciale. Të dy janë deklaruar të pafajshëm dhe procesi gjyqësor ndaj tyre vazhdon.
Në një rast të veçantë, Fehim Sali dyshohet se gjatë viteve 2024 dhe 2025 ka mbledhur e përcjellë informacione dhe dokumente për persona të caktuar në Kosovë, përfshirë persona që Prokuroria i përshkruan si pjesëtarë të qarqeve vehabiste. Ndërkohë, mes personave që janë dënuar për spiunazh janë Aleksandar Vllajiq dhe Jellena Gjukanoviq.
Disa çështje janë ende në gjykim, në disa të tjera ka tashmë dënime. Marrë veçmas, ato nuk provojnë vetvetiu ekzistencën e një operacioni të vetëm apo të një rrjeti të koordinuar të BIA-s në Kosovë. Por ngrenë pyetjen se çfarë kërkohet dhe çfarë mund të bëhet me informacionin pasi është siguruar.
Dushan Janjiq, themelues i Forumit për Marrëdhëniet Etnike në Beograd, e vendos peshën jo mbi dokumentet, por mbi njerëzit. "Punohet më së shumti në përfitimin e njerëzve. Qoftë për informacione, qoftë për ndikim përmes institucioneve", ka thënë ai për Radion Evropa e Lirë.
Të njëjtën logjikë përshkruan edhe Daniel Lomas, profesor i inteligjencës dhe sigurisë në Universitetin e Notinghamit në Angli, sipas të cilit faza e parë është pothuajse gjithnjë mbledhja e informacionit. "Fillimisht përpiqesh të marrësh informacion nga burimet, pra për politikën e një vendi, ekonominë e një vendi, kush është lart, kush është poshtë, thashetheme politike, duke zhvilluar rrjete njerëzish në gjithë shoqërinë", shpjegon Lomas. Sipas tij, rrjetet e krijuara mund të fitojnë më vonë një funksion të dytë: ndikimin politik. Aktakuzat, nga ana e tyre, nuk tregojnë se çfarë ndodh me informacionin pasi, sipas Prokurorisë, u përcillet inteligjencës serbe.
BIA është shërbimi civil kombëtar i sigurisë i Serbisë dhe funksionon si organizatë e posaçme e Qeverisë serbe. Ajo u krijua me ligj në vitin 2002, pas ndarjes së shërbimit civil të sigurisë dhe inteligjencës nga Ministria e Brendshme. Ligji serb i jep detyrë mbrojtjen e sigurisë së Serbisë, zbulimin dhe parandalimin e veprimtarive që synojnë cenimin e rendit kushtetues, si edhe hulumtimin, mbledhjen, përpunimin dhe vlerësimin e të dhënave të inteligjencës me rëndësi për vendin. I njëjti ligj parashikon se agjencia mund të bashkëpunojë me shërbime të shteteve të tjera dhe me organizata ndërkombëtare, në përputhje me udhëzimet e Qeverisë dhe politikën serbe të sigurisë dhe inteligjencës.
Kërkesës për qëndrimin e BIA-s lidhur me rastet dhe pretendimet për veprimtarinë e saj në Kosovë, drejtuar nga Radio Evropa e Lirë, agjencia nuk u përgjigj. Deri në vendimet e gjykatës, të akuzuarit mbeten të dyshuar dhe pretendimet janë të Prokurorisë Speciale.
Shkuan në stacion për t'u ankuar ndaj një tikete trafiku dhe përfunduan në ndalim policor. Prokuroria Themelore në Prizren ka caktuar 48 orë ndalim për një baba dhe djalin e tij 17-vjeçar, të dyshuar për sulm ndaj një zyrtari policor.

