Sot në orën 18:00 mbaron afati që kryeministri Albin Kurti u dha dy ministrave të tij për të zbardhur lëshimet e institucioneve në rastin e vrasjes së A.Z. Deri tani askush nuk ka dhënë dorëheqje, nuk është pezulluar e as shkarkuar.

Ilustrim i krijuar me inteligjencë artificiale. Nuk është fotografi e ngjarjes. Si e përdorim AI-në
Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, dhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, kanë kohë deri sot në orën 18:00 për t'i dorëzuar kryeministrit Albin Kurti raportin për mënyrën se si kanë vepruar institucionet e sigurisë dhe të hetuesisë në rastin e vrasjes së A.Z.
Ultimatumi u vendos dy ditë më parë. Kurti e bëri të ditur gjatë një vizite në QKUK, ku u pyet për vrasjen. Aty ai tha se Kosova nuk ka drejtësi të drejtë, por të shtrembër, dhe se duhet të ketë hetuesi për prokurorët dhe policët, si dhe gjyqësi për gjykatësit. Përmes raportit, sipas tij, pret të informohet për çdo neglizhencë të mundshme të institucioneve.
Dje, në mbledhjen e Qeverisë, kryeministri paralajmëroi veprime dhe vuri numëratorin në lëvizje: "Kanë mbetur 34 orë për hartimin dhe dorëzimin e këtij raporti. Nesër mbrëma, para orës 18:00, pres raportet dhe sigurisht se do ta ndaj me publikun". Vendimet, tha ai, do të merren pasi raporti të bëhet publik.
Kurti shpjegoi se, menjëherë pas informacioneve të para për vrasjen, Gërvalla, në cilësinë e koordinatores kombëtare për mbrojtjen nga dhuna në familje, dhuna ndaj grave dhe dhuna në baza gjinore, thirri një mbledhje urgjente me institucionet qendrore e lokale të sigurisë dhe të drejtësisë. "Ndërkaq, si kryeministër, kam kërkuar nga Ministria e Drejtësisë dhe ajo e Brendshme një raport të detajuar me evidencat dhe lëshimet në secilën hallkë të institucioneve", tha ai.
Presioni nuk vjen vetëm nga zyra e kryeministrit. Në protestat e djeshme u kërkua sërish përgjegjësi për neglizhencën në këtë rast, si dhe dorëheqja e dy ministrave. Inspektorati Policor, nga ana e tij, është shprehur për neglizhencën policore, ndërsa raportohet se zyrtarët policorë të përfshirë dihen me emër e mbiemër.
Megjithatë, deri më tani nga ky rast nuk ka pasur asnjë dorëheqje, pezullim apo shkarkim. Pyetja që mbetet pa përgjigje pas orës 18:00 është nëse Kurti do të shkarkojë ndonjërin prej dy ministrave apo nëse raporti do të mbyllet pa pasoja konkrete.
Gruaja që ka qenë prokurore në dosjen e vrasjes së Donjeta Pajazitajt tani drejton Prokurorinë Themelore të Pejës. Vëllai i viktimës thotë se emërimi ia thellon mosbesimin ndaj drejtësisë, ndërsa rasti i motrës, sipas tij, pret epilog prej 11 vjetësh.

