Tre punëtorë të ujësjellësit shkuan në fshatin Pantinë të Vushtrrisë për t'i shkyçur ujin një pronari. Aty, sipas Prokurorisë, u kërcënuan me armë dhe u qëllua drejt automjetit të tyre zyrtar.

Një mosmarrëveshje për shkyçjen e furnizimit me ujë përfundoi me të shtëna dhe kërcënime me vdekje. Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit ndaj një 41-vjeçari, i cili dyshohet se qëlloi me armë në drejtim të tre punëtorëve të Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit "Mitrovica" (KRU "Mitrovica") dhe më pas i kërcënoi me vrasje.
Kërkesa për paraburgim është paraqitur në Gjykatën Themelore në Mitrovicë – Dega në Vushtrri, ndaj të pandehurit me inicialet F.Sh. Ai ngarkohet për tri vepra penale: "Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve", "Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm" dhe "Kanosja".
Sipas Prokurorisë, incidenti dyshohet se ka ndodhur më 29 korrik 2026, në fshatin Pantinë të Komunës së Vushtrrisë. Tre punëtorët e ujësjellësit kishin shkuar në pronën e të pandehurit për të shkyçur furnizimin me ujë. "Ekziston dyshimi i bazuar mirë se më 29 korrik 2026, në fshatin Pantinë të Komunës së Vushtrrisë, pasi tre punëtorë të Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit 'Mitrovica' kishin bërë shkyçjen e furnizimit me ujë në pronën e tij, i pandehuri F.Sh. i ka kanosur ata dhe ka shkrepur armë me gaz në drejtim të automjetit zyrtar të KRU 'Mitrovica'", thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Sipas deklarimeve të punëtorëve, i dyshuari kishte nxjerrë një armë të shkurtër, ua kishte drejtuar dhe, nën kërcënim, kishte kërkuar që t'ia rilidhnin ujin. Pas refuzimit të tyre, dyshohet se kishte shtënë në drejtim të automjetit ku ndodheshin.
Kërcënimi, sipas organit të akuzës, nuk mbaroi me kaq. "Po ashtu, i pandehuri dyshohet se ka kanosur zyrtarët e KRU 'Mitrovica' se do t'i vrasë të tre nëse e lajmërojnë rastin në polici", thuhet më tej në njoftimin e Prokurorisë.
Pas incidentit, i dyshuari ishte shpallur në kërkim dhe njësitet policore, përfshirë Njësinë Rajonale për Siguri të Lartë, ishin angazhuar në gjetjen e tij. Pas më shumë se dy javësh në kërkim, ai u vetëdorëzua në Polici më 15 gusht. Gjatë një bastisjeje në pronën e tij, policia gjeti dhe sekuestroi armën me gaz që dyshohet se u përdor në incident, një gëzhojë dhe tre fishekë me gaz.
Me vendim të prokurorit, i pandehuri ndodhet në ndalim që nga e shtuna, ndërsa vendimin për kërkesën e paraburgimit do ta marrë Gjykata Themelore në Mitrovicë – Dega në Vushtrri.
I dyshuari prezumohet i pafajshëm derisa fajësia të mos vërtetohet me vendim të formës së prerë të gjykatës.
Pushime të ndërprera, togje rezervë nga gjashtë qytete, patrulla para ambasadave dhe një ekip zjarrfikësish në parkingun e EULEX-it: plani operacional i Policisë së Kosovës për ditën kur Dhomat e Specializuara pritet të shpallin aktgjykimin ndaj Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit.

