Në 17-vjetorin e Gjykatës Kushtetuese, Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka-Pula, dha një mesazh të qartë: asnjë institucion nuk qëndron mbi ligjin dhe vendimet e Kushtetueses duhen respektuar edhe kur kanë pasoja politike.

"Vendimet e Gjykatës Kushtetuese respektohen dhe nuk personalizohen pavarësisht efekteve të tyre politike." Me këtë fjali, Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka-Pula, vendosi në qendër të ceremonisë për 17-vjetorin e themelimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës një parim që, sipas saj, nuk lë vend për interpretime: kushtetuta qëndron mbi pushtetin.
Shiroka-Pula e paraqiti pavarësinë e Kushtetueses jo si çështje teknike, por si themel të vetë shtetit demokratik. "Kushtetuta i përcakton këta kufij, ajo garanton se askush nuk është mbi ligjin, se pushteti nuk është i pakufizuar dhe se të drejtat dhe liritë e qytetarëve nuk varen nga vullneti i atyre që ushtrojnë autoritetin publik", deklaroi ajo.
Prej këtu, Presidentja nxori përfundimin kryesor të fjalimit: pavarësia e gjykatës "nuk është vetëm një parim juridik, ajo është një garanci themelore e demokracisë, e sundimit të ligjit dhe e besimit të qytetarëve se kushtetuta do të mbrohet në praktikë në çdo rrethanë dhe pa përjashtim".
Ajo foli edhe për vendin që zë kjo gjykatë në arkitekturën e institucioneve. Sipas saj, gjykatat kushtetuese sigurojnë që kushtetuta "të mos mbetet vetëm në dokumente thelbësore, por të jetë autoriteti më i lartë juridik", të cilit i nënshtrohen të gjitha institucionet.
Pjesa më e mprehtë e fjalimit iu kushtua periudhave të tensionit. Shiroka-Pula theksoi se roli i Kushtetueses rritet pikërisht kur institucionet janë nën presion. "Ky mision bëhet edhe më i rëndësishëm në kohën e krizave politike, kur presioni mbi institucionet rritet dhe kur respektimi i parimeve kushtetuese bie në sprovë", tha ajo, duke shtuar se në këto momente gjykatat e pavarura "garantojnë që ushtrimi i pushtetit të mbetet brenda kufijve të kushtetutës".
Për Presidenten, kjo ka peshë të veçantë për Kosovën. "Për Kosovën, si shtet i ri, gjykata kushtetuese ka një rëndësi të veçantë", u shpreh ajo.
Shiroka-Pula iu referua edhe përvojës ndërkombëtare. Ajo përmendi Gjykatën Kushtetuese Federale të Gjermanisë, gjykata të tjera evropiane dhe ekspertizën e Komisionit të Venecias si një mundësi të çmuar për të diskutuar sfidat e përbashkëta, për të thelluar dialogun juridik dhe për të përforcuar standardet e mbrojtjes së rendit kushtetues. "Përvojat tona mund të ndryshojnë, por parimet që na bashkojnë janë të njëjta", tha ajo.
Fjalimin e mbylli me një përcaktim për masën e një demokracie: "Forca e një demokracie nuk matet me mungesën e kufijve të pushtetit, por me gatishmërinë për t'i respektuar ata. Kur kushtetuta është mbi pushtetin, të drejtat e qytetarëve janë më të sigurta; kur institucionet i nënshtrohen kushtetutës, demokracia është më e fortë."
Asnjë invalid i luftës nuk do të mbetet më pa mbulim për proteza, garanton ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, i cili pranon se deri në vitin 2024 kjo pagesë varej nga vullneti i qeverive.

