Komisioni Evropian thotë se Serbia ende nuk ka lëvizur për të arrestuar të dyshuarit për sulmin e armatosur në Banjskë, ndërsa politikanët serbë flasin për flamurin serb mbi Prizren. Brukseli kujton se fondet e BE-së kanë kushte, përfshirë dialogun me Prishtinën.

Ilustrim i krijuar me inteligjencë artificiale. Nuk është fotografi e ngjarjes. Si e përdorim AI-në
Serbia ende nuk ka ndërmarrë hapat e nevojshëm për të arrestuar dhe ndjekur penalisht të dyshuarit për sulmin e armatosur në Banjskë që ndodhen në territorin e saj. Ky është vlerësimi i Komisionit Evropian, i cili i ka kërkuar Beogradit të veprojë pa vonesë dhe njëkohësisht të heqë dorë nga retorika nxitëse ndaj Kosovës.
Në përgjigje të pyetjeve të Euronews Albania, zëdhënësi i Komisionit shprehu shqetësim si për deklaratat e politikanëve serbë, ashtu edhe për mungesën e veprimeve ndaj personave të dyshuar për sulmin e shtatorit 2023.
"Na vjen keq që, deri sot, Serbia ende nuk ka ndërmarrë hapat e nevojshëm për arrestimin dhe ndjekjen penale, me akuzat e duhura, të personave që ndodhen në territorin e saj. Ne mbetemi gjithashtu të shqetësuar nga raportimet për pjesëmarrjen e personit të dyshuar për kryerjen e veprës penale në një tubim parazgjedhor të Partisë Progresive Serbe (SNS), e cila është në pushtet. Presim që Serbia të bashkëpunojë plotësisht përmes kanaleve të vendosura për ndihmën e ndërsjellë juridike. Kjo çështje ka mbetur pezull prej kohësh dhe Serbia duhet të ndërmarrë hapa për ta trajtuar atë pa vonesa", deklaroi zëdhënësi.
Personi për të cilin flitet është Milan Radoiçiq, i kërkuar nga autoritetet e Kosovës në lidhje me sulmin në Banjskë. Sipas raportimeve, ai është shfaqur së fundmi në një tubim elektoral në Serbi, përkrah djalit të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq. "BE-ja ka kërkuar vazhdimisht që personat përgjegjës për sulmin në Banjskë të vitit 2023 të mbajnë përgjegjësi, përfshirë Milan Radoiçiqin", theksoi zëdhënësi.
Reagimi i Brukselit vjen pas dy deklaratave që kanë ngritur tensionin. Gjatë fushatës zgjedhore në Serbi, politikani serb Millosh Jovanoviq vizitoi Prizrenin dhe deklaroi se "Kosova është Serbi", duke shtuar se "ajo që është e jona nuk mund t’i jepet askujt". Pas tij, ministri i Brendshëm i Serbisë, Ivica Daçiq, deklaroi se flamuri serb do të valëvitej sërish mbi Prizren.
Komisioni nuk i komentoi drejtpërdrejt emrat, por mesazhi i tij ishte i qartë: "Ne presim që të gjithë liderët politikë të veprojnë me përgjegjësi, të përmbahen nga retorika nxitëse dhe të kontribuojnë në krijimin e një mjedisi besimi e stabiliteti rajonal, si dhe në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës." Sipas zëdhënësit, përparimi në procesin e normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve mbetet i rëndësishëm.
Pyetjes nëse Brukseli do të shkojë përtej kritikave diplomatike, duke pasur parasysh mbështetjen e konsiderueshme financiare që Serbia merr nga BE-ja, zëdhënësi iu përgjigj se Komisioni vlerëson vazhdimisht nëse përmbushen kushtet për mbështetjen nga instrumentet financiare të BE-së. Ndër to, përmendi kushtin paraprak që përfituesit e Instrumentit për Reforma dhe Rritje të respektojnë dhe të garantojnë funksionimin efektiv të mekanizmave demokratikë dhe të shtetit të së drejtës, si dhe kushtin paraprak që lidhet me dialogun Beograd-Prishtinë.
Mbetet e paqartë nëse Komisioni do të marrë masa konkrete financiare ndaj Serbisë.
Asnjë invalid i luftës nuk do të mbetet më pa mbulim për proteza, garanton ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, i cili pranon se deri në vitin 2024 kjo pagesë varej nga vullneti i qeverive.

