Uashingtoni po përgatit heqjen e vizave të biznesit dhe turizmit për deri në 200 mijë të huaj që kanë kërkuar azil në SHBA. Nëse zbatohet, do të ishte revokimi masiv më i madh i vizave në historinë amerikane.

Deri në 200 mijë të huaj që kanë aplikuar ose po kërkojnë azil në Shtetet e Bashkuara rrezikojnë t'u anulohen vizat e biznesit dhe të turizmit. Masa, ende e pashpallur zyrtarisht, do të ishte revokimi masiv më i madh i vizave në historinë e vendit, sipas agjencisë amerikane të lajmeve Associated Press, e cila iu referua dokumenteve të Departamentit të Shtetit dhe intervistave me dy zyrtarë amerikanë.
Objektiv i veprimit do të ishin vizat e njohura si B1 dhe B2, të lëshuara ndërmjet viteve 2016 dhe 2026, mbajtësit e të cilave kanë kërkuar ose po kërkojnë azil. Departamenti i Shtetit pritet ta njoftojë vendimin brenda javëve në vijim, në bashkërendim me Departamentin e Sigurisë Kombëtare (DHS).
"Po koordinohemi me DHS-në për të identifikuar dhe revokuar vizat joemigruese të të huajve që kanë ardhur në Shtetet e Bashkuara duke pretenduar se janë vizitorë afatshkurtër, por më pas aplikojnë për azil për të qëndruar këtu përgjithmonë", tha zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Tommy Pigott.
Zyrtarë të cituar nga AP-ja sqaruan se revokimet nuk do të nisnin automatikisht procedura dëbimi. Shumica e personave me çështje azili në pritje do të kalonin në një kategori tjetër emigracioni, duke humbur në fakt statusin e tyre si vizitorë biznesi apo turistë, ndërsa dosjet e tyre vijojnë shqyrtimin.
Të hënën, zëvendëssekretari i Shtetit, Christopher Landau, u shpreh publikisht kundër atyre që, sipas tij, përdorin vizat turistike dhe të biznesit për të hyrë në SHBA e më pas aplikojnë për azil. "Njerëzit në SHBA dhe në mbarë botën janë ngopur me kërkesa false për azil", shkroi Landau në rrjetin social X. "Azili nuk duhet të jetë një shteg për të anashkaluar ligjin e emigracionit."
Prej kthimit të presidentit Donald Trump në detyrë për mandatin e dytë vitin e kaluar, administrata e tij ka shtrënguar hap pas hapi kushtet për aplikuesit e vizave: kërkesa për më shumë të dhëna mbi historikun e tyre në rrjetet sociale, garanci financiare të kushtueshme për përpunimin e vizave dhe ndalim i plotë i lëshimit të vizave për shtetas të disa vendeve.
Në 18 muajt e fundit, Departamenti i Shtetit ka revokuar rreth 175 mijë viza. Bëhet fjalë për persona të dënuar ose të akuzuar për vepra që shkojnë nga drejtimi i automjetit në gjendje të dehur deri te përdhunimi dhe grabitja, por edhe për njerëz që janë shprehur publikisht kundër politikave amerikane, veçanërisht atyre në Lindjen e Mesme.

Kuvendi Komunal i Prishtinës nuk e miratoi themelimin e ndërmarrjes publike lokale "Pastrimi". Kryetari Përparim Rama akuzoi Vetëvendosjen për "sabotim", ndërsa opozita pretendon se pas projektit fshihet hapja e rrugës për operatorë privatë.

