Paga arrin, por Trusti jo. Krahasimi i të dhënave zyrtare tregon se afërsisht 100 mijë punëtorë në Kosovë mbeten pa kontribute pensionale të paguara rregullisht, ndërsa ATK-ja ka shqiptuar 389 gjoba vetëm në gjysmën e parë të vitit 2026.

Ilustrim i krijuar me inteligjencë artificiale. Nuk është fotografi e ngjarjes. Si e përdorim AI-në
Ligji është i qartë: nga çdo pagë në Kosovë ndalen 5% për kursimet pensionale dhe po aq shton kompania. Në praktikë, për afërsisht 100 mijë punëtorë ky rregull mbetet në letër.
Shifra del nga përballja e dy grupeve të të dhënave zyrtare. Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, gjatë vitit 2025 fuqia punëtore ka qenë rreth 520 mijë persona, ndërsa numri i të punësuarve rreth 460 mijë. Të gjithë ata do të duhej të figuronin si kontribues. Por të dhënat e Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës (Trusti) tregojnë se mesatarja e kontribuesve aktivë gjatë të njëjtit vit ka qenë 357 mijë persona. Diferenca janë rreth 100 mijë punëtorë të cilëve kontributet nuk u paguhen rregullisht. Një shifër e saktë e borxhit të kompanive nuk ekziston as te Trusti, as te Administrata Tatimore e Kosovës.
Për bizneset, kjo do të thotë miliona euro që mbeten në llogaritë e tyre. Sistemi ka qenë tolerant ndaj praktikës së ndalimit të mjeteve nga paga dhe shtyrjes së pagesës për javë e muaj të tërë.
Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Sektorit Privat në Kosovë, Jusuf Azemi, thotë se ankesat vijnë më së shumti nga një kategori e caktuar kompanish. "Më së shumti kemi te kompanitë që kryejnë shërbime për institucionet publike. Një pjesë bukur e madhe e tyre janë të cilat pronarët e kompanive i thithin mjetet nga buxheti edhe i qeverisë, edhe i komunal… i thithin mjetet për shërbimet që i kryejnë dhe në rrugëtim e sipër pronari i kompanisë paguan pagën, por nuk paguan Trustin", ka thënë Azemi.
Trusti administron kontributet e punëtorëve të sektorit publik dhe privat, i alokon nëpër llogari individuale dhe një pjesë të mirë i investon në tregje ndërkombëtare. Por, sipas legjislacionit, ai nuk ka asnjë kompetencë ndëshkuese ndaj kompanive që nuk paguajnë.
Drejtori i Operacioneve në Fondin Pensional të Kosovës, Agron Krasniqi, e konfirmon këtë kufizim. "Sigurisht, domethënë, ne kohë pas kohe marrim kërkesa të tilla, pyetje të tilla apo ankesa të tilla t'i quajmë, dhe varësisht nga specifikat e rastit mundohemi të marrim më shumë informacion mbi specifikat e rastit dhe e bëjmë këshillimin përkatës", thotë ai. "Ndërsa në raste kur specifikisht nuk janë paguar kontributet pensionale për ta, i drejtojmë te Administrata Tatimore e Kosovës, e cila sipas ligjit i ka autorizimet e plota, kompetencat dhe kapacitetet për kontrollet në terren, si dhe për mbushjen e detyrueshme të obligimeve të kompanive."
Kompetenca ndëshkuese, pra, i takon ATK-së, e cila mund të shqiptojë gjoba dhe, në raste specifike, edhe të bllokojë llogaritë e bizneseve. Drejtori i ATK-së, Mentor Hyseni, thotë se në gjashtëmujorin e parë të vitit 2026 janë shqiptuar gjithsej 389 gjoba për biznese që nuk kanë deklaruar punëtorët ose nuk u kanë paguar kontributet, një rritje prej 48% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
"Në vetëm dy vitet e fundit, për shembull, numri i gjobave që janë lëshuar vjet ka qenë në periudhën e njëjtë gjashtëmujore të vitit të kaluar ka qenë 262, e 389 është në këtë vit, që shënon një farë rritjeje diku prej 48%. Pra, është rritur numri i gjobave sa i përket punëtorëve të padeklaruar", ka thënë Hyseni.
Punëtorët të cilëve u ndalet Trusti nga paga, por të cilëve mjetet nuk u arrijnë në Fondin e Kursimeve, mund ta kontrollojnë rrjedhën e pagesave përmes platformës online të Trustit. Ankesa, megjithatë, duhet të përfundojë te ATK-ja, institucioni i vetëm me kompetenca në terren.
Qumështoret që mbulonin mbi 40% të nevojave të tregut vendor kanë ndalur makineritë, sipas Shoqatës së Industrisë së Qumështoreve. Shoqata fajëson vendimet e Ministrisë së Bujqësisë dhe kërkon tërheqjen e tyre urgjente.

