Shërbimi Korrektues i Kosovës nënshkroi dy akte të reja që rregullojnë sjelljen brenda burgjeve dhe përcaktojnë kriteret sipas të cilave një i dënuar mund të dalë me pushim jashtë institucionit.

Kush del me pushim nga burgu në Kosovë dhe si duhet të sillet gjatë vuajtjes së dënimit tani rregullohet me dy akte të reja të Shërbimit Korrektues të Kosovës (SHKK).
Drejtori i Përgjithshëm i SHKK-së, Ismail Dibrani, nënshkroi Kodin e Mirësjelljes së Personave të Burgosur në Institucionet Korrektuese dhe Udhëzuesin për zbatimin e kritereve për shfrytëzimin e pushimit jashtë institucionit korrektues për personat e dënuar. Sipas SHKK-së, të dyja aktet synojnë të forcojnë standardet e sigurisë, rendit dhe disiplinës në burgje, si dhe të krijojnë një qasje më të standardizuar në menaxhimin e personave të burgosur dhe në proceset e rehabilitimit e riintegrimit.
Kodi i Mirësjelljes përcakton rregullat dhe standardet e sjelljes që duhet të respektojnë personat e dënuar dhe të paraburgosur gjatë qëndrimit në institucionet korrektuese. Ai vë theks në respektimin e rendit dhe disiplinës, komunikimin korrekt me stafin dhe të burgosurit e tjerë, shmangien e dhunës, kërcënimeve dhe konflikteve, respektimin e dinjitetit dhe të drejtave të të tjerëve, si dhe bashkëpunimin në proceset e sigurisë, rehabilitimit dhe riintegrimit.
Udhëzuesi i dytë rregullon një nga beneficionet më të ndjeshme të sistemit të burgjeve: pushimin jashtë institucionit. Sipas dokumentit, vlerësimi bëhet në mënyrë individuale, objektive dhe profesionale, bazuar në të dhëna konkrete e të verifikueshme dhe në vlerësimin e rrezikut.
Në vendimmarrje merren parasysh vepra penale për të cilën personi është dënuar, qëndrimi i tij ndaj asaj vepre, sjellja gjatë vuajtjes së dënimit, respektimi i rregullave të institucionit, pjesëmarrja në programet rehabilituese, niveli i përgjegjësisë dhe besueshmërisë, rreziku për sigurinë publike, mundësia e përsëritjes së veprës penale, historiku i tentimeve për arratisje, si dhe rrethanat dhe mbështetja familjare.
Procesi kalon përmes një ekipi multidisiplinar, i cili, pasi shqyrton kriteret dhe rrethanat, interviston personin e dënuar dhe i rekomandon drejtorit të institucionit korrektues aprovimin ose refuzimin e kërkesës. Vendimin përfundimtar e merr drejtori i institucionit, në bazë të vlerësimit të dokumentuar dhe të legjislacionit në fuqi.
Pushime të ndërprera, togje rezervë nga gjashtë qytete, patrulla para ambasadave dhe një ekip zjarrfikësish në parkingun e EULEX-it: plani operacional i Policisë së Kosovës për ditën kur Dhomat e Specializuara pritet të shpallin aktgjykimin ndaj Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit.

