Adonis Aliu dhe nëna e tij tregojnë versionin e tyre për përplasjen në parkingun e "Prishtina Mall" me kapitenin e Njësive Speciale, Besart Ahmetin. Prokuroria e Prishtinës po e heton Ahmetin për kanosje, ndërsa një udhëheqës togu i Njësisë Speciale është suspenduar për dyshime dhune në stacionin policor të Graçanicës.

Një bori e rënë nga frika se do të përplaseshin dy vetura në parkingun e qendrës tregtare "Prishtina Mall" ishte, sipas rrëfimit të Adonis Aliut, momenti nga i cili nisi gjithçka. Pas asaj përplasjeje të së dielës, më 6 shtator 2026, ai dhe vëllai i tij 16-vjeçar përfunduan të arrestuar dhe të dërguar në stacionin policor të Graçanicës, ndërsa kapiteni i Njësive Speciale të Policisë së Kosovës, Besart Ahmeti, përfundoi nën hetime të Prokurorisë së Prishtinës për veprën penale të kanosjes.
Adonis Aliu, njëri prej dy vëllezërve të përfshirë në incident, thotë se pasi i ra borisë, Ahmeti u afrua te vetura në të cilën ai ndodhej bashkë me vëllanë dhe nënën e tij.
"Ai hini, e futi gati gjysmën e trupit në veturë. E ka rrokë vëllanë me krye dhe ia ka kapë dorën. Vëllai i ka thënë: "Ik, hiqu prej kerrit!"… Gjatë tërë kohës ai (Besart Ahmeti) ka sharë në prezencë të familjes", ka thënë Adonis Aliu.
Sipas tij, ai deshi ta ndizte veturën dhe të largohej, por Ahmeti u kthye sërish, duke sharë e duke përdorur fjalë të ndyta. Në atë moment, thotë Aliu, ai doli nga vetura dhe u përball me të. Ai pretendon gjithashtu se kapiteni përmendi vazhdimisht se kishte armë me vete.
Adonis Aliu thekson se nuk e njihte Besart Ahmetin dhe se nuk e dinte fare që ai ishte polic. Këtë, sipas tij, e mësoi nga nëna e tij, pasi doli jashtë objektit të qendrës tregtare.
Rrëfimi i tij përkon me atë të nënës, Hasene Aliu, bashkëshorte e një zyrtari policor, e cila ndodhej në veturë gjatë incidentit. Ajo tregon se Ahmeti, pasi dëgjoi borinë, doli nga vetura e tij dhe u vërsul drejt dritares në anën e pasagjerit, ku ndodhej djali i vogël, duke futur duart brenda hapësirës së veturës dhe duke sharë.
"Non-stop vijke qashtu edhe i thojke gjithçka: "A e di kush jam unë? Unë jam komandant i Njësisë Speciale"", ka rrëfyer ajo, duke shtuar se djali i saj i madh i ishte përgjigjur: "Edhe çka, me tu tut unë që je komandant a?".
Sipas nënës, kapiteni ua bënte vazhdimisht me dije se ishte i armatosur. "Këqyre, tha, non-stop ia bojke djalit: "Unë armën qitu e kam, me vete e kam armën, unë me armë gjithë, tha, dal"", ka thënë ajo.
Ajo përshkruan edhe momentin kur djali i saj u përpoq të largohej me veturë: "Edhe djali tha se po niset me dalë jashtë. Edhe ai (Besart Ahmeti) i tha: "Ku, ku po shkon?", dhe iu flug përmas edhe i hypi mbi kerr… Unë duke u tutë thashë mos po e lëndon a diçka, u mundojsha me heqë, edhe djali eci tani, dhe ai (Besart Ahmeti) e mbajke kerrin dhe u lëndu në pasqyrë (të veturës) edhe zaher e vrajti pak me pasqyrë… Unë duke u mundu, u përballa me të, masandej e pashë ma kish lëndu dorën".
Hasene Aliu tregon se Ahmeti e kishte fotografuar veturën e familjes dhe se njëri prej djemve ia kishte goditur telefonin me dorë për ta ndaluar fotografimin. Sipas saj, kur mbërritën zyrtarët policorë jashtë qendrës tregtare, ata u treguan të afërt me kapitenin dhe nuk deshën të dëgjonin as atë, as djalin e saj të madh, i cili u arrestua. Pas tij u arrestua edhe djali 16-vjeçar.
"Erdhi Policia edhe menjëherë u afruan te ta sepse e kishin njoftë, qata na se njoftum as që e ditëm që është komandant i Njësisë Speciale a s'di çka ke, plus gruaja ke rreshtere. Ua bëni policëve, u prezantuan, u afruan te ata, dorë për dore, folën me ta rreshterja, kështu, edhe na dojshim me folë diçka na e bëjshin neve: "Largohuni! Asnjë fjalë! Mbylleni gojën!"", ka deklaruar ajo. Sipas rrëfimit të saj, kur djali i vogël u përpoq të fliste në telefon me babanë e tij për t'i treguar për rastin, policët vrapuan dhe ia morën telefonin.
Pjesa më e rëndë e rrëfimit lidhet me atë që, sipas dy vëllezërve dhe nënës, ndodhi më pas në stacionin policor të Graçanicës. Adonis Aliu pretendon se atje është rrahur nga një pjesëtar i Njësive Speciale. Nëna e tij tregon se te dera e stacionit ndodhej Besart Ahmeti bashkë me disa pjesëtarë të Njësisë Speciale dhe se ata nuk i linin të hynin brenda.
"Na e kishin zënë hyrjen, mezi që hymë, s'na e lëshojshin rrugën hiç as me hi. Në qato momente zaher e kishin rrehë ata djalin më herët edhe s'dojshin me ditë, por tani kur erdhën mjekët edhe djali tha që s'po nij me vesh edhe e kishin gërrithë kësajde nëpër shpinë, dhunshëm e kanë kapë a ku me e ditë", ka deklaruar Hasene Aliu.
Inspektorati Policor i Kosovës ka njoftuar për suspendimin e udhëheqësit të një togu të Njësisë Speciale, nën dyshimin për ushtrim të dhunës gjatë detyrës zyrtare, përkatësisht për keqtrajtim të njërit prej djemve në stacionin policor të Graçanicës. I njëjti institucion ka konfirmuar se Besart Ahmeti po hetohet nën dyshimin për kanosje, ndërsa Prokuroria e Prishtinës ka inicuar hetime ndaj tij pikërisht për këtë vepër penale.
Hetimet nuk janë të njëanshme: sipas Inspektoratit Policor, procedurat ndaj dy vëllezërve Aliu do të vazhdojnë nga Policia e Kosovës, në konsultim me prokurorin kompetent, për veprën penale të sulmit.
Besart Ahmeti nuk ka dhënë përgjigje për pretendimet e familjes Aliu, duke sugjeruar që të kontaktohet Zyra për Media e Policisë. Asnjë nga personat e përfshirë nuk është shpallur fajtor dhe të gjitha pretendimet mbeten në fazën e hetimeve.
Shkuan në stacion për t'u ankuar ndaj një tikete trafiku dhe përfunduan në ndalim policor. Prokuroria Themelore në Prizren ka caktuar 48 orë ndalim për një baba dhe djalin e tij 17-vjeçar, të dyshuar për sulm ndaj një zyrtari policor.

