I plagosur rëndë me armë zjarri në një rrugë të Mynihut, 33-vjeçari kosovar arriti të kontaktonte policinë. Dy shtetas turq, 24 dhe 25 vjeç, u kapën në një apartament nga një njësi speciale dhe u futën në paraburgim.

Me një plagë nga arma e zjarrit në bark, 33-vjeçari kosovar arriti të lajmërojë vetë policinë në Mynih. Ai u dërgua nga shërbimet e urgjencës në spital dhe po atë natë iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale urgjente.
Të shtënat ndodhën në Schleißheimer Strasse dhe hetimi i policisë gjermane e trajton rastin si tentativë vrasjeje. Thirrja e viktimës nisi një operacion të gjerë policor për gjetjen e autorëve.
Hetimet intensive të Komisariatit 11 çuan në identifikimin e dy të dyshuarve: një 24-vjeçar dhe një 25-vjeçar, të dy shtetas turq. Me kërkesë të Zyrës së Prokurorit Publik të Mynihut I, Gjykata e Qarkut të Mynihut lëshoi urdhër-arrestet për ta.
Të mërkurën herët në mëngjes, më 9 shtator, një njësi speciale policore bastisi një apartament në Mynih dhe arrestoi të dy të dyshuarit. Pas paraqitjes para gjyqtarit hetues, ata u vendosën në paraburgim.
Sipas policisë, ka indikacione për një vepër penale të lidhur me drogën. Të dy të dyshuarit janë të njohur për policinë dhe, sipas hetuesve, njiheshin me viktimën.
"Gjendja e 33-vjeçarit është e qëndrueshme. Jeta e tij nuk është në rrezik", tha të mërkurën një zëdhënës i policisë së Mynihut.
Dy persona të maskuar me automatikë "AK-47" kaluan rrugën dhe hapën zjarr ndaj lokalit "From", tregoi para trupit gjykues në Prishtinë një dëshmitar i Prokurorisë, i cili thotë se pas të shtënave gjeti të plagosur dy nga të akuzuarit e këtij rasti.

