Zemërimi për vrasjen e Arlinda Zekajt arriti deri në oborrin e Ministrisë së Drejtësisë në Prishtinë. Protestuesit kaluan rampat e thyera dhe kërkuan dorëheqjen e ministres Donika Gërvalla.

Rampat në hyrje të Ministrisë së Drejtësisë në Prishtinë nuk i ndalën dot protestuesit. Ata i thyen, hynë në oborrin e institucionit dhe që aty kërkuan dorëheqjen e ministres Donika Gërvalla, në protestën e nisur pas vrasjes së Arlinda Zekajt.
"Jepni dorëheqje", thirrën protestuesit para ndërtesës, ndërsa slogani "Liri, barazi, solidaritet" u përsërit gjatë gjithë marshimit. Kërkesa e tyre ishte e qartë: llogaridhënie nga institucionet. Ndërkohë, nga brenda ministrisë dikush filmonte protestën, por identiteti i tij nuk është bërë i ditur.
Tensioni u ndje edhe në rrugë. Gjatë protestës u rrëzuan disa kontejnerë mbeturinash.
Protesta u organizua nga Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist, me nisje nga sheshi Zahiri. Itinerari i paralajmëruar përfshin, përveç Ministrisë së Drejtësisë, edhe Këshillin Prokurorial të Kosovës, Këshillin Gjyqësor të Kosovës, Policinë e Kosovës dhe Qeverinë e Kosovës.
Kolektivi nuk e sheh këtë si një ditë të vetme mobilizimi. Në thirrjen e tij, ai ka kërkuar organizim dhe solidarizim kombëtar dhe ka paralajmëruar bllokim të institucioneve: "Andaj, të mërkurën, të ejten, të premten e ditët në vijim, ne do dalim rrugëve, e do bllokojmë institucione sepse është momenti i fundit që ky shtet të japë llogari. Nisemi prej sheshit Zahiri, te Ministria e Drejtësisë, Këshilli Prokurorial i Kosovës, Këshilli Gjyqësor i Kosovës, Policia e deri te Qeveria".
Inspektorët e punës kanë mbyllur përkohësisht disa kantiere ndërtimi nga Prishtina deri në Skenderaj. Punimet nuk rifillojnë pa u rregulluar shkeljet që rrezikojnë jetën e punëtorëve.

