Para Këshillit Prokurorial të Kosovës u tha se Prokuroria Themelore në Prishtinë punon me 46 prokurorë, ndërsa i mungojnë edhe 29. Disa prokurorë kanë rreth 300 lëndë në punë, teksa Njësiti për Krime Ekonomike dhe Korrupsion ka mbetur me pesë prokurorë.

Prokuroria më e ngarkuar e vendit po punon me pak më shumë se gjysmën e prokurorëve që i duhen. Në takimin e 302-të të Këshillit Prokurorial të Kosovës, ku u raportua për punën dhe sfidat e Prokurorisë Themelore në Prishtinë gjatë vitit 2025, zëvendëskryeprokurori Arianit Salihu bëri të ditur se kjo prokurori funksionon aktualisht me 46 prokurorë dhe se i mungojnë edhe 29 të tjerë për ta arritur numrin e nevojshëm.
Pasoja, sipas tij, matet me orë pune. Mungesa e stafit dhe numri i madh i lëndëve e kanë bërë orarin e rregullt të pamjaftueshëm. "Orari nga ora 08:00 deri në 16:00 nuk funksionon, pasi për shkak të ngarkesës së madhe duhet të punohet vazhdimisht për t'u përballuar puna", deklaroi Salihu.
Ngarkesa vjen kryesisht nga një adresë: mbi 80 për qind e lëndëve që trajton Prokuroria e Prishtinës pranohen nga Policia e Kosovës. Salihu e lidhi volumin edhe me territorin e gjerë që mbulon kjo prokurori, përfshirë kryeqytetin.
Diskutim të veçantë në Këshill nxiti mënyra se si ndahen lëndët brenda vetë prokurorisë. Para anëtarëve u tha se disa prokurorë kanë rreth 300 lëndë në punë, ndërsa të tjerë pothuajse përgjysmë më pak. Salihu e pranoi se dallime të tilla në shpërndarje ekzistojnë, por theksoi se norma vjetore është realizuar me sukses.
Në mbledhje u evidentua edhe një zbrazëti në raportim: formulari nuk përmbante të dhëna për Njësitin për Krime Ekonomike dhe Korrupsion. Salihu njoftoi se kjo njësi ka arritur efikasitet prej 88.9 për qind në zgjidhjen e lëndëve me kryerës të njohur. Aktualisht ajo funksionon me pesë prokurorë, dy më pak krahasuar me vitin 2025. Sipas tij, njësia duhet të vazhdojë punën, pasi trajton lëndë komplekse, voluminoze dhe me interes të lartë.
Një tjetër çështje e hapur ishte kthimi i lëndëve nga Prokuroria e Apelit në Prokurorinë Themelore. Kryeprokurori i Shtetit, Zejnullah Gashi, tha se ky "ping-pong" me lëndët ndikon në zvarritjen e procedurave dhe në performancën e përgjithshme të prokurorive.
Në fund, Këshilli Prokurorial i Kosovës e miratoi raportimin, por me kusht që ai të plotësohet me të dhënat që mungonin për Njësitin për Krime Ekonomike dhe Korrupsion.
Pushime të ndërprera, togje rezervë nga gjashtë qytete, patrulla para ambasadave dhe një ekip zjarrfikësish në parkingun e EULEX-it: plani operacional i Policisë së Kosovës për ditën kur Dhomat e Specializuara pritet të shpallin aktgjykimin ndaj Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit.

