Pas vdekjes së njërës prej dy grave të sulmuara në fshatin Poterq të Klinës, Prokuroria Themelore në Pejë ka kërkuar nga gjykata caktimin e paraburgimit ndaj të dyshuarit, i cili, sipas prokurorisë, është në gjendje të paaftësisë mendore.

Ilustrim i krijuar me inteligjencë artificiale. Nuk është fotografi e ngjarjes. Si e përdorim AI-në
Rasti i rëndë familjar në fshatin Poterq të Epërm të Klinës ka kaluar në duart e gjykatës. Prokuroria Themelore në Pejë, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj personit të dyshuar për vrasje të rëndë dhe vrasje të rëndë në tentativë, pasi ai ishte ndaluar 48 orë me urdhër të Prokurorit të Shtetit.
Sipas Prokurorisë së Pejës, rasti ka ndodhur më 6 shtator 2026, kur i dyshuari dyshohet se ka sulmuar dy anëtare të familjes së tij. Të dyja gratë janë dërguar për trajtim mjekësor, por njëra prej tyre nuk u mbijetoi plagëve dhe ka ndërruar jetë, ndërsa tjetra po merr trajtim mjekësor.
Prokuroria ka bërë të ditur se i dyshuari është në gjendje të paaftësisë mendore. Edhe Policia e Kosovës e ka përshkruar atë si person me probleme të shëndetit mendor dhe ka njoftuar se, për shkak të gjendjes së rënduar psikike, ai është vendosur në repartin e psikiatrisë në spitalin rajonal në Pejë, në përkujdesje të personelit mjekësor dhe nën mbikëqyrjen e zyrtarëve policorë.
Sipas njoftimit policor, i dyshuari fillimisht ia kishte vënë flakën krevatit në të cilin qëndronte motra e tij, e më pas, në dhomën tjetër, kishte sulmuar me mjet të fortë nënën e tij. Të dyja viktimat pësuan lëndime të rënda trupore dhe u dërguan fillimisht në spitalin rajonal në Pejë, e më pas, për shkak të natyrës së lëndimeve, në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës në Prishtinë. Aty ekipi mjekësor konstatoi vdekjen e vajzës që kishte lëndime nga zjarri.
Hetimet, thekson Prokuroria, po vazhdojnë për sqarimin e plotë të rrethanave të rastit. Vendimi për paraburgimin mbetet në kompetencë të gjykatës, ndërsa i dyshuari gëzon prezumimin e pafajësisë derisa të provohet e kundërta me vendim të formës së prerë.
Pushime të ndërprera, togje rezervë nga gjashtë qytete, patrulla para ambasadave dhe një ekip zjarrfikësish në parkingun e EULEX-it: plani operacional i Policisë së Kosovës për ditën kur Dhomat e Specializuara pritet të shpallin aktgjykimin ndaj Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit.

