Një aksion antidrogë në Prizren mori kthesë dramatike kur i dyshuari, në përpjekje për t'i ikur policisë, u hodh nga ballkoni dhe pësoi fraktura në të dyja këmbët. Në banesë u gjetën kokainë, hashash e marihuanë.

Një kontroll policor kundër drogës në Prizren përfundoi me lëndimin e rëndë të personit të dyshuar. Sipas të dhënave të rastit, i dyshuari u hodh nga ballkoni i banesës në përpjekje për t'i ikur policisë dhe pësoi fraktura në të dyja këmbët. Ai u dërgua për trajtim në Spitalin Rajonal në Prizren.
I dyshuari, i identifikuar me inicialet F.D., rreth 32-vjeç, prezumohet i pafajshëm derisa fajësia të provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
Ngjarja ndodhi mbrëmjen e 17 gushtit, në rrugën "Ali Hadri" në Prizren. Operacioni u zhvillua në kuadër të planit operativ "Vera 2026", pas informacioneve të siguruara nga terreni. Me urdhër verbal të Prokurorit të Shtetit, hetuesit e Drejtorisë për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë – Njësia në Prizren, të asistuar nga njësia e reagimit të shpejtë dhe hetuesit e Stacionit Policor në Prizren, nisën kontrollin në banesë.
Pikërisht në momentin kur policia hyri në banesë, i dyshuari dyshohet se u hodh nga ballkoni. Nga rënia pësoi lëndime serioze te të dyja këmbët.
Gjatë kontrollit, policia gjeti dhe sekuestroi 6.68 gramë substancë të dyshuar kokainë, 3.40 gramë hashash dhe 1.29 gramë marihuanë. Krahas narkotikëve, u sekuestruan edhe një peshore digjitale, një grinder, një telefon iPhone 11 dhe 585 euro para të gatshme.
Rasti është iniciuar nën dyshimet për veprën penale "Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge". Pavarësisht gjetjeve, me urdhër të Prokurorit të Shtetit i dyshuari u lirua për procedurë të rregullt hetimore dhe aktualisht vazhdon trajtimin mjekësor.
Hetimet për rastin po vazhdojnë nga Njësia në Prizren e Drejtorisë për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë.
Pushime të ndërprera, togje rezervë nga gjashtë qytete, patrulla para ambasadave dhe një ekip zjarrfikësish në parkingun e EULEX-it: plani operacional i Policisë së Kosovës për ditën kur Dhomat e Specializuara pritet të shpallin aktgjykimin ndaj Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit.

