Prokuroria e Prizrenit dyshon se një qendër e paakredituar lëshoi mbi 1.600 diploma profesionale pa asnjë trajnim, duke përfituar rreth gjysmë milioni euro. Pronari, I.Ç., është në ndalim.

Një diplomë aftësimi profesional, thonë hetuesit, kushtonte rreth 300 euro — dhe blihej pa u ulur asnjëherë në bankat e një trajnimi. Sipas Prokurorisë Themelore në Prizren, kjo skemë funksionoi për vite me radhë, duke i sjellë të dyshuarit një përfitim që dyshohet të arrijë rreth pesëqind mijë euro.
Prokuroria njoftoi arrestimin e një personi me inicialet I.Ç., nën dyshimin e bazuar se ka kryer veprat penale “Falsifikimi i dokumenteve”, nga neni 390, paragrafi 1, dhe “Mashtrimi”, nga neni 323, paragrafi 1, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. I dyshuari paraqitet si pronar dhe person përgjegjës i Qendrës për Verifikim të Aftësive Profesionale “A.” në Prizren.
Sipas dyshimeve të ngritura gjatë hetimeve, qendra lëshonte diploma të aftësimit profesional për profesione të ndryshme pa u zhvilluar trajnimet përkatëse teorike dhe praktike, ndonëse në vetë dokumentet paraqitej se trajnimet ishin përfunduar me sukses. Këto diploma, sipas Prokurorisë, janë përdorur për punësim brenda dhe jashtë Kosovës, si dhe për plotësimin e kritereve në procedura të ndryshme të prokurimit.
Përmasat e skemës i përshkruan vetë Prokuroria: “Nga veprimet hetimore rezulton dyshimi se, nga viti 2019 e deri më tani, janë lëshuar rreth 1,679 diploma për profesione të ndryshme, ndërsa pagesa për një diplomë dyshohet të ketë qenë rreth 300 euro, ndërsa përfitimi nga kjo veprimtari e kundërligjshme dyshohet të jetë rreth pesëqind mijë (500,000.00) euro”, thuhet në komunikatë.
Rasti nisi pas informatave të dorëzuara në Prokurori nga një organizatë joqeveritare vendore. Hetimet i zhvilloi Policia e Kosovës, përkatësisht Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit — Njësia Rajonale në Prizren. Me urdhër kontrolli nga Gjykata Themelore në Prizren, dhe në bashkëpunim me inspektorët tatimorë, autoritetet kontrolluan subjektin.
Gjatë kontrollit u gjetën dhe u sekuestruan si prova: 333 diploma profesionale, të vulosura dhe të pavulosura, me emrat e kandidatëve; dy pajisje kompjuterike, në të cilat ishte i instaluar programi për regjistrimin e diplomave; dy USB me të dhëna; tri vula të biznesit; një telefon mobil i të dyshuarit; 11 fleta me shënime lidhur me borxhet dhe pagesat; 630 euro para të gatshme; dhe nëntë kartëvizita.
Sipas Prokurorisë, provat e mbledhura ngrenë dyshime se subjekti nuk ka qenë i akredituar nga Autoriteti Kombëtar i Kualifikimeve (AKK) dhe se nuk ka pasur autorizim për ofrimin, vlerësimin dhe certifikimin e kualifikimeve profesionale.
I dyshuari gjendet në ndalim prej 48 orësh. Brenda afatit ligjor, Prokuroria do të vlerësojë nëse do të kërkojë caktimin e një mase për sigurimin e pranisë së tij në procedurën penale.
Prokuroria Themelore në Prizren dhe Policia e Kosovës kanë ftuar çdo qytetar që dyshon se është mashtruar apo dëmtuar lidhur me pajisjen me diploma ose dokumente të aftësimit profesional nga ky subjekt, që ta raportojë rastin në Prokurorinë Themelore në Prizren ose në stacionin më të afërt policor.
Pushime të ndërprera, togje rezervë nga gjashtë qytete, patrulla para ambasadave dhe një ekip zjarrfikësish në parkingun e EULEX-it: plani operacional i Policisë së Kosovës për ditën kur Dhomat e Specializuara pritet të shpallin aktgjykimin ndaj Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit.

