Një raportim për zhdukjen e një vajze 13-vjeçare në Prishtinë është kthyer në hetim penal për veprën "Dhunimi", pasi e mitura u paraqit në polici dy ditë më vonë dhe deklaroi se kishte kaluar rreth 12 orë në një banesë në lagjen Emshir.

Ajo që nisi si një kërkim për një vajzë 13-vjeçare të zhdukur në Prishtinë ka kaluar tashmë në duart e Prokurorisë, si rast i hetuar për veprën penale "Dhunimi".
Zhdukja e të miturës me inicialet O.M. u raportua më 6 shtator në Stacionin Policor Qendra në Prishtinë. Nëna e vajzës kishte deklaruar se një ditë më parë, më 5 shtator, rreth orës 19:30, ndërsa ndodheshin në parkun e Taukbahçes, vajza ishte larguar dhe familja nuk kishte më asnjë informacion për vendndodhjen e saj. Komunikimi me të ishte ndërprerë.
Rasti mori kthesë më 7 shtator, kur nëna u paraqit sërish në stacionin policor, këtë herë bashkë me vajzën. Për shkak të moshës dhe ndjeshmërisë së rastit, e mitura u intervistua në prani të prindit, të zyrtarëve të Qendrës për Punë Sociale, të psikologes dhe të hetuesve policorë.
Gjatë deklarimit të saj, 13-vjeçarja ka treguar se më 5 shtator ishte takuar me një të mitur me inicialet D.K. dhe se më pas kishin shkuar në një banesë në lagjen Emshir, ku kishin qëndruar rreth 12 orë. Ajo ka deklaruar se gjatë kësaj kohe kishte pasur marrëdhënie seksuale me të dyshuarin. Pavarësisht asaj që ajo tha për rrethanat, mosha e saj e bëri rastin automatikisht objekt trajtimi nga Prokuroria, e cila e nisi si "Dhunim".
Vajzës i është ofruar edhe trajtim mjekësor, pasi gjatë intervistimit deklaroi se kishte dy lëndime në trup.
Për rastin është njoftuar prokurorja kujdestare e Departamentit për të Mitur, me udhëzimin e së cilës është iniciuar procedura penale. Hetimet po vazhdojnë në koordinim me Prokurorinë, për të sqaruar rrethanat e plota, përfshirë ato në të cilat ka ndodhur marrëdhënia. Nuk është bërë e ditur nëse i dyshuari është ndaluar apo intervistuar.
Identiteti i plotë i të miturës nuk publikohet, për shkak të moshës dhe natyrës së rastit.
Shkuan në stacion për t'u ankuar ndaj një tikete trafiku dhe përfunduan në ndalim policor. Prokuroria Themelore në Prizren ka caktuar 48 orë ndalim për një baba dhe djalin e tij 17-vjeçar, të dyshuar për sulm ndaj një zyrtari policor.

