Nga ora 14:00, qendra e Prishtinës ndryshon rregullat e lëvizjes: rrugët "Agim Ramadani", "Luan Haradinaj" dhe "Enver Zymberi" mbyllen për qarkullim, ndërsa Policia e Kosovës paralajmëron se mund të ndërpritet trafiku edhe në akse të tjera.

Tri nga rrugët më të ngarkuara të kryeqytetit dalin sot jashtë përdorimit për automjetet. Policia e Kosovës ka njoftuar se, për shkak të marshit solidarizues paqësor që nis në orën 14:00, do të bllokohen për qarkullim rrugët "Agim Ramadani", "Luan Haradinaj" dhe "Enver Zymberi", ndërsa mbyllje të përkohshme mund të ketë edhe në akse të tjera, varësisht nga zhvillimi i situatës.
Marshi zhvillohet në tri sheshet qendrore të Prishtinës, "Zahir Pajaziti", "Nëna Terezë" dhe "Skënderbeu", në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së dhe mbahet katër ditë para shpalljes së vendimit.
"Policia e Kosovës, lidhur me marshin solidarizues paqësor, i cili do të mbahet sot në orën 14:00, në sheshet kryesore: 'Zahir Pajaziti', 'Nëna Terezë' dhe 'Skënderbeu', me qëllim të garantimit të sigurisë së pjesëmarrësve në marsh, qytetarëve dhe pjesëmarrësve të tjerë në komunikacion, ka ndërmarrë masat e nevojshme policore për ofrimin e sigurisë, ruajtjen e rendit e qetësisë publike si dhe mbarëvajtjen e marshit para, gjatë dhe deri në përfundim të marshit", thuhet në njoftimin policor.
Për planin e trafikut, policia është e qartë: "Sipas planifikimeve policore me qëllim të mbarëvajtjes së marshit rrugët të cilat do të bllokohen për qarkullim në kryeqytet janë rrugët: Agim Ramadani, Luan Haradinaj dhe Enver Zymberi, por varësisht nga nevoja operative mund të ketë edhe rrugë të tjera në të cilat mund të ndërpritet qarkullimi përkohësisht".
Njësi patrulluese të trafikut janë vënë në gatishmëri për ta drejtuar qarkullimin drejt rrugëve alternative. "Për shkak të zhvillimit të marshimit dhe lëvizjes së pjesëmarrësve, do të ketë kufizime ose ndërprerje të përkohshme të qarkullimit në rrugët e prekura nga aktiviteti, andaj Policia ka paraparë edhe angazhime të njësive policore patrulluese të trafikut, në rast të nevojës për riorientim të trafikut në rrugët alternative", ka bërë të ditur institucioni.
Policia e Kosovës thekson se, sipas ligjit mbi tubimet publike, e njeh të drejtën e qytetarëve për shprehjen e lirë përmes tubimeve dhe marshimeve të qeta dhe se, sipas detyrës zyrtare, do të angazhohet të ofrojë siguri për të gjithë qytetarët, në mënyrë që marshi të kalojë qetë dhe pa incidente.
Qytetarët dhe pjesëmarrësit janë ftuar të respektojnë udhëzimet e zyrtarëve policorë, të tregojnë kujdes dhe të kontribuojnë që aktiviteti të zhvillohet në mënyrë të qetë dhe të sigurt.
"Policia e Kosovës falënderon qytetarët për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin, siguria e qytetarëve dhe mbarëvajtja e aktivitetit janë prioritet i Policisë së Kosovës. Zyrtarët policorë do të jenë të pranishëm në terren për të garantuar rendin dhe sigurinë publike", përfundon njoftimi.
Pushime të ndërprera, togje rezervë nga gjashtë qytete, patrulla para ambasadave dhe një ekip zjarrfikësish në parkingun e EULEX-it: plani operacional i Policisë së Kosovës për ditën kur Dhomat e Specializuara pritet të shpallin aktgjykimin ndaj Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit.

