Pas ndalimit nga Policia e Kosovës, ipeshkvi Dodë Gjergji e bëri bekimin e gurthemelit të kishës së re në Zogaj të Vushtrrisë "në mënyrë të qetë dhe dinjitoze". Dioqeza Prizren–Prishtinë e cilëson vendimin e policisë jokushtetues dhe të padrejtë.

Një ceremoni fetare u kthye në përballje me institucionet. Policia e Kosovës vendosi të mos lejohet ceremonia e paraparë për bekimin e gurthemelit të kishës së re katolike në fshatin Zogaj të Vushtrrisë — dhe as ankesa zyrtare e vikarit ipeshkvor Don Fran Kola nuk e ndryshoi këtë vendim.
Përballë ndalimit, Dioqeza Prizren–Prishtinë zgjodhi ta zhvendosë aktin fetar. Për t'i shmangur tensionet, ipeshkvi Imzot Dodë Gjergji, i shoqëruar nga disa meshtarë dhe besimtarë, e bëri bekimin e gurthemelit të hënën, në vigjilje të festës së Shën Florit dhe Laurit. Sot dhjetëra qytetarë morën pjesë në vënien e gurthemelit të Kishës Katolike "Shën Flori dhe Lauri" në Zogaj.
Dioqeza e ka cilësuar veprimin e policisë si jokushtetues, joligjor dhe të pajustifikuar. Sipas njoftimit, Don Fran Kola i kishte informuar me kohë autoritetet e sigurisë, në përputhje me ligjet në fuqi, për zhvillimin e ceremonisë në tokën e dhuruar nga besimtarët për ndërtimin e objektit fetar.
"Policia e Kosovës ka marrë një vendim që nuk do të lejohet të zhvillohet ceremonia e paraparë për nesër, më 18 gusht 2026. Edhe pas ankesës zyrtare të Don Fran Kolës, Policia nuk e ka anuluar vendimin. Ne e konsiderojmë këtë vendim jokushtetues, joligjor, të padrejtë dhe të pajustifikuar, sepse bëhet fjalë për një ngjarje kishtare, fetare dhe paqësore, në pronën e Kishës, për të cilën institucionet ishin njoftuar me kohë", thuhet në reagimin e Dioqezës.
Në deklaratë theksohet se vendosja e gurthemelit u krye pa incidente. "Duke dashur të shmangim çdo tension dhe që një akt feje të mos bëhet shkak për përplasje me askënd, sot më 17 gusht, në vigjiljen e festës së Shën Florit dhe Laurit, ipeshkvi ynë, Imzot Dodë Gjergji, në përcjellje të disa meshtarëve dhe besimtarëve, ka bërë bekimin e gurthemelit në mënyrë të qetë dhe dinjitoze. Ndërsa ceremonia e Pagëzimit do të kremtohet nesër, më 18 gusht 2026, në orën 11:00, në Katedralen 'Shën Nënë Tereza' në Prishtinë", thuhet më tej.
Dioqeza ka bërë të qartë se zhvendosja e ceremonisë nuk nënkupton pajtim me vendimin e policisë apo heqje dorë nga të drejtat e saj. "Kisha do të vazhdojë, përmes rrugëve institucionale dhe ligjore, të kërkojë respektimin e lirisë fetare, të së drejtës së pronës dhe të ushtrimit paqësor të misionit të saj", thuhet në reagim. Sipas Dioqezës, institucionet duhet ta mbrojnë ushtrimin e lirë të të drejtave dhe jo ta kufizojnë atë për shkak të një rreziku që, sipas saj, nuk buron nga aktiviteti fetar.
Besimtarët dhe qytetarët që kishin planifikuar të merrnin pjesë në Zogaj janë ftuar t'i bashkohen ceremonisë së pagëzimeve, që do të mbahet të martën, më 18 gusht, nga ora 11:00, në Katedralen "Shën Nënë Tereza" në Prishtinë.
Reagimi mbyllet me një ton pajtimi nga zëdhënësi i Dioqezës Prizren–Prishtinë, Don Fatmir Koliqi: "Përgjigjja jonë ndaj padrejtësisë nuk do të jetë kurrë përplasja, por qëndrueshmëria; ndaj urrejtjes nuk do të përgjigjemi me urrejtje, por me dashuri."
Pushime të ndërprera, togje rezervë nga gjashtë qytete, patrulla para ambasadave dhe një ekip zjarrfikësish në parkingun e EULEX-it: plani operacional i Policisë së Kosovës për ditën kur Dhomat e Specializuara pritet të shpallin aktgjykimin ndaj Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit.

