Pas shkrimeve në media serbe se zjarri në zonën e Bërnjakut, në territorin e Serbisë, ishte shkaktuar nga ana kosovare me një armë të posaçme për hedhjen e "topave të zjarrit", Policia e Kosovës i quan pretendimet dezinformata dhe thotë se njësitë e saj nuk kanë vërejtur asgjë të tillë.

Një armë e posaçme, e përdorur gjoja për të hedhur "topa zjarri" nga territori i Kosovës drejt Serbisë. Kështu e kanë përshkruar disa media në Serbi shkakun e zjarrit në zonën e Bërnjakut, në anën serbe të kufirit. Policia e Kosovës e ka hedhur poshtë këtë version në një komunikatë të publikuar të dielën, duke e cilësuar si dezinformatë.
Sipas Policisë, asnjë mjet i tillë nuk ka dalë nga territori i Kosovës dhe as nuk është regjistruar ndonjë vërejtje nga njësitë e saj në terren. "Asnjë lloj arme e tillë siç është paraqitur në media nuk është përdorur nga autoritetet e Republikës së Kosovës dhe nuk ka asnjë njoftim nga njësitë e Policisë së Kosovës se kanë vërejtur diçka të tillë që është hedhur nga territori i Republikës së Kosovës në territorin e Serbisë", thuhet në njoftim.
Institucioni policor i vendos këto shkrime në një varg më të gjatë raportimesh që, sipas tij, ndjekin një qëllim politik. "Dezinformata dhe shkrime të tilla të pavërteta nga Serbia të orientuara ndaj Kosovës ka pasur edhe në të kaluarën, e të cilat përdoren me qëllime të caktuara, me synimin që para faktorit ndërkombëtar ta nxjerrin Republikën e Kosovës fajtore për çdo dukuri negative që ndodh kryesisht në zonën kufitare me Kosovën", thekson Policia.
Në komunikatë ritheksohet se Policia Kufitare patrullon dhe monitoron vazhdimisht situatën përgjatë vijës kufitare, ndërsa në raste të caktuara patrullimet kryhen bashkë me njësitë e KFOR-it, të cilat, sipas njoftimit, do të reagojnë sa herë vlerësohet e nevojshme për qytetarët dhe faktorët e tjerë relevantë në terren.
Policia shton se institucionet e Kosovës do të hetojnë çdo rast për të cilin ka të dhëna se rreziku është shkaktuar nga faktori njeri, pavarësisht zonës ku ndodh.
Thirrja në fund u drejtohet edhe qytetarëve, edhe mediave: "Policia e Kosovës u bën thirrje qytetarëve dhe mediave që të mbështeten vetëm në informacionet zyrtare dhe të shmangin përhapjen e pretendimeve të pakonfirmuara, veçanërisht kur ato mund të ndikojnë në perceptimin e sigurisë dhe të krijojnë shqetësime të panevojshme në opinion".
Pushime të ndërprera, togje rezervë nga gjashtë qytete, patrulla para ambasadave dhe një ekip zjarrfikësish në parkingun e EULEX-it: plani operacional i Policisë së Kosovës për ditën kur Dhomat e Specializuara pritet të shpallin aktgjykimin ndaj Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit.

