Ministria e Punëve të Brendshme ka ngritur grupin që do të shkruajë ligjin për pensionimin e parakohshëm të policëve. Mosha, kriteret dhe përfitimet mbeten ende të papërcaktuara.

Pensionimi i parakohshëm për pjesëtarët e Policisë së Kosovës ka marrë hapin e parë institucional. Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) ka themeluar grupin punues që do të hartojë Projektligjin për Pensionimin e Parakohshëm të personelit policor në Policinë e Kosovës.
Në krye të grupit, sipas vendimit të ministrisë, është zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Viktor Buzhala. Zëvendësudhëheqës është Qëndrim Bytyqi nga Departamenti Ligjor i MPB-së. Pjesë e grupit janë edhe përfaqësues të tjerë të ministrisë, të institucioneve përkatëse dhe të Policisë së Kosovës, mes tyre zyrtarë nga departamente dhe njësi të ndryshme institucionale.
Detyrat e grupit janë të përcaktuara qartë: ai do të administrojë konsultimet paraprake dhe ato publike, do të përgatisë draftin fillestar dhe dokumentacionin përcjellës, e më pas do t'i dorëzojë ato në Departamentin Ligjor për procedim të mëtejshëm dhe miratim. Nëse gjatë punës lind nevoja, grupi mund të ftojë përfaqësues të institucioneve të tjera dhe ekspertë, me vlerësim të udhëheqësit të tij. Vendimi i detyron gjithashtu të gjitha njësitë përkatëse të MPB-së dhe zyrtarët e saj të bashkëpunojnë me grupin dhe të ofrojnë të dhënat që u kërkohen.
Procesi sapo ka nisur. Në këtë fazë nuk janë përcaktuar ende kriteret konkrete për pensionimin e parakohshëm, mosha e daljes në pension, as përfitimet që mund t'u njihen pjesëtarëve të Policisë së Kosovës.
Gjenerali Alexus Grynkewich, komandanti suprem i forcave aleate në Evropë, u prit sot nga e ngarkuara me punë e SHBA-së në Kosovë, Anu Prattipati. Ambasada thotë se vizita riafirmon mbështetjen për misionin e KFOR-it dhe për sigurinë e të gjitha komuniteteve.

