Gjashtë nga 13 reformat e Planit të Rritjes të BE-së kanë mbetur pa u përmbushur brenda afatit të 30 qershorit, ndërsa vetë qeveria flet me dy shifra të ndryshme për paratë që mund të humbasë Kosova. Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, kërkon që qytetarët ta mësojnë shumën e vërtetë.

Dy deklarata, dy shifra dhe asnjë përgjigje përfundimtare. Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, i ka kërkuar Qeverisë së Kosovës të dalë publikisht me shumën e mjeteve që Kosova rrezikon të humbasë nga Plani i Rritjes i Bashkimit Evropian, pasi gjashtë nga 13 reformat e parashikuara nuk u përmbushën brenda afatit të 30 qershorit.
Sipas Bajramit, vetë zyrtarët qeveritarë nuk po flasin me një gojë për madhësinë e humbjes. Ajo përmendi Zulfajn dhe kryeministrin Kurti, njëri prej të cilëve, sipas saj, e vlerëson humbjen potenciale në rreth 60 milionë euro, ndërsa tjetri në 40 milionë euro.
"Kemi dëgju deklarata të ndryshme, nga zoti Zulfaj, edhe nga kryeministri Kurti, për humbjen potenciale, njëri thotë për rreth 60 milionë euro, tjetri thotë për 40 milionë euro. Kërkoj nga kabineti, t’u tregojnë qytetarëve, se sa ka humbur Kosova, meqenëse gjashtë nga 13 reformat, nuk janë përmbushur, në afatin e 30 qershorit", tha Bajrami.
Deputetja e opozitës kërkoi gjithashtu që të publikohet raporti i Komisionit Evropian, duke e paraqitur atë si dokumentin që do t'i jepte fund pasigurisë për shifrat. Shuma e saktë e humbjes deri tani nuk është bërë publike.
Bajrami e lidhi çështjen edhe me masat që Bashkimi Evropian mori ndaj Kosovës gjatë mandatit të kaluar. Ajo pretendoi se mungesa e koordinimit me institucionet evropiane ka sjellë humbje dhe shtyrje të projekteve me vlerë prej qindra milionë eurosh.
Një ditë pasi djali i Jair Bolsonaros zbriti në Shtetet e Bashkuara, Donald Trump i cilësoi zgjedhjet presidenciale braziliane "të turpshme". Nga toka amerikane, Flávio Bolsonaro refuzon fitoren e Lulës dhe premton të udhëheqë opozitën.

