Personi që mbeti i pakapur pas gjakderdhjes te dy kafiteritë në qendër të Ferizajt tashmë është siguruar nga policia. Me pesë të arrestuar dhe një 33-vjeçar në gjendje të rëndë në QKUK, prokuroria e trajton rastin si tentativë vrasjeje.

I fundit nga pesë personat që dyshohet se u përfshinë në përleshjen e përgjakshme në qendër të Ferizajt është siguruar nga policia. Ai kishte mbetur i palokalizuar në orët e para pas ngjarjes, ndërsa tani të gjithë të dyshuarit janë në duart e organeve të rendit.
Sipas Policisë së Kosovës, lidhur me rastin janë arrestuar gjithsej pesë persona të dyshuar, të cilët me vendim të prokurorit janë ndaluar për 48 orë.
Ngjarja ndodhi rreth orës 00:15 të 11 gushtit, në rrugën "12 Qershori", në hapësirën mes kafiterive "0290 Bar" dhe "Dritarja", ku policia ishte alarmuar për një rrahje në zhvillim. Si pasojë e përleshjes tre persona pësuan lëndime.
Njëri prej tyre, Sh.A., 33-vjeçar, u transferua në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës në Prishtinë për shkak të lëndimeve të rënda. Policia ka bërë të ditur se ai po merr trajtim mjekësor dhe do të intervistohet nga hetuesit pas stabilizimit të gjendjes së tij shëndetësore.
Për rastin është njoftuar prokurori i shtetit, i cili ka udhëzuar inicimin e hetimeve për veprat penale "Vrasje e mbetur në tentativë" dhe "Pjesëmarrje në rrahje". Hetuesit policorë po vazhdojnë dhe zgjerojnë hetimet për të identifikuar persona të tjerë që mund të kenë qenë të përfshirë në përleshje.
Të dyshuarit prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
Pushime të ndërprera, togje rezervë nga gjashtë qytete, patrulla para ambasadave dhe një ekip zjarrfikësish në parkingun e EULEX-it: plani operacional i Policisë së Kosovës për ditën kur Dhomat e Specializuara pritet të shpallin aktgjykimin ndaj Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit.

