Ndërprerja e fondeve amerikane e ka lënë shoqërinë civile në Kosovë pa donatorë: një organizatë ka humbur 70 për qind të buxhetit dhe gjysmën e stafit, ndërsa e vetmja linjë falas për parandalimin e vetëvrasjeve punon vetëm katër orë në ditë.

E vetmja linjë telefonike falas për parandalimin e vetëvrasjeve në Kosovë, "Linja e Jetës", nuk punon më 16 orë në ditë. Është reduktuar në katër. Arsyeja nuk ka të bëjë me kërkesën, por me paratë: organizata për shëndet mendor QIPS, që e menaxhon këtë shërbim, ka humbur mbi 100 mijë euro përkrahje.
Është një nga pasojat më të prekshme të mbylljes faktike të USAID-it me vendim të presidentit amerikan, Donald Trump, një vendim që ka lënë gjurmë në shumë vende, përfshirë Kosovën. Me të njëjtin vendim është mbyllur edhe Zëri i Amerikës, radio që ka qenë zë i shumëdëgjuar në shtete autokratike dhe në demokraci të pakonsoliduara.
Në Prishtinë, shumë njerëz mbetën pa punë dhe donatorë pothuajse nuk ka mbetur. Forumi Kosovar i Aftësisë së Kufizuar, që përfaqëson mbi 150 mijë persona, ka humbur 70 për qind të mjeteve financiare. Për të mbijetuar, ka larguar nga puna gjysmën e stafit dhe ka ndërprerë disa projekte me rëndësi. Ekspertë dhe punonjës të shoqërisë civile po detyrohen të kërkojnë punë nëpër qendra thirrjesh për të siguruar jetesën.
Shifrat tregojnë sa i madh është boshllëku. Që nga përfundimi i luftës më 1999, Shtetet e Bashkuara kishin investuar mbi 2 miliardë dollarë në Kosovë. Tani, largimit të USAID-it i janë shtuar shkurtimet e buxheteve nga Zvicra dhe shtete të tjera evropiane, ndërsa Bashkimi Evropian nuk ka mundur ta mbulojë hendekun. Rezultati është një luftë e ashpër për mbijetesë e sektorit joqeveritar, që godet drejtpërdrejt grupet më të ndjeshme të shoqërisë.
Këtë tablo e ka sjellë nga terreni platforma mediale zvicerane "Republik", me seli në Cyrih, në një reportazh të gazetareve Arzije Asani dhe Xhemile Asani, dy motra me origjinë nga Kosova, të cilat udhëtuan drejt Prishtinës për të parë nga afër se si po mbijetojnë organizatat joqeveritare vendore dhe nëse diaspora mund t'i zëvendësojë donatorët perëndimorë të larguar.
Pikërisht te diaspora po i drejtojnë sytë shumë organizata. Dërgesat e saj përbëjnë deri në 22 për qind të Produktit të Brendshëm Bruto të vendit. Lirim Krasniqi nga organizata "Germin" vlerëson se largimi i donatorëve të mëdhenj krijon hapësirë për forcat lokale dhe propozon që mbështetja e diasporës të kalojë nga ndihma emergjente familjare në investime strukturore në tregun e Kosovës.
Autoret e reportazhit shtrojnë njëkohësisht dilemën se deri ku duhet të shkojë ky ndikim, pa u përsëritur gabimet e donatorëve të huaj, ku paraja diktonte politikat vendore. Në fund ato nënvizojnë se as ndihma financiare ndërkombëtare, as ajo nga diaspora nuk mund ta zëvendësojë krijimin e një shteti funksional social.
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, u kërkoi asamblistëve votën për dhënien në shfrytëzim të "Tulltores" për 50 vjet, duke insistuar se toka nuk falet dhe se komuna do të përfitojë mbi 50 milionë euro gjatë kësaj periudhe.

