Çmimet e konsumit në Kosovë u rritën me 7.3% në gusht 2026 krahasuar me një vit më parë, me transportin si motor kryesor të shtrenjtimit. Vetëm një kategori, shërbimet arsimore, shënoi ulje çmimesh.

Transporti është faktori që e ka shtyrë më shumë lart shportën e kosovarëve: çmimet e këtij grupi u rritën 21.1% brenda një viti, sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK). Në total, Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit (IHÇK) në gusht 2026 ishte 7.3% më i lartë sesa në gusht 2025.
Rritja nuk ka qenë vetëm vjetore. Krahasuar me korrikun 2026, çmimet u shtuan 1.3% brenda një muaji të vetëm, njofton ASK, ndërsa transporti sërish prin edhe në këtë krahasim, me 4.6%.
Pas transportit, presioni më i fortë vjetor vjen nga shpenzimet bazë të banimit: strehimi, uji, energjia elektrike, gazi dhe lëndët e tjera djegëse u shtrenjtuan 11.8%. Sipas ASK-së, rritja vjetore është ndikuar nga grupet kryesore të COICOP-it, me restorante dhe shërbime akomodimi 5.4%, pije alkoolike, duhan dhe narkotikë 5.1%, shëndetësi 4.2%, kujdesi personal, mbrojtja sociale dhe mallra e shërbime të ndryshme 3.8%, mobilje, pajisje shtëpiake dhe mirëmbajtje rutinore shtëpiake 3.4%, rekreacion, sport dhe kulturë 3.4%, veshje dhe këpucë 3.0%, ushqime dhe pije joalkoolike 2.6%, si edhe informacion dhe komunikim 0.6%.
E kundërta është regjistruar vetëm në një kategori. Sipas ASK-së, ulje çmimesh ka pasur te shërbimet arsimore, me 0.5%.
Në krahasimin mujor, pas transportit me 4.6%, rritje kanë shënuar strehimi, uji, energjia elektrike, gazi dhe lëndët e tjera djegëse me 0.8%, mobiljet, pajisjet shtëpiake dhe mirëmbajtja rutinore shtëpiake me 0.5%, ndërsa ushqimet dhe pijet joalkoolike, shëndetësia, informacioni dhe komunikimi, si edhe rekreacioni, sporti dhe kultura u rritën secili 0.4%. Restorantet dhe shërbimet e akomodimit u shtrenjtuan 0.3%, ndërsa pijet alkoolike, duhani dhe narkotikët, veshjet dhe këpucët, si edhe kujdesi personal, mbrojtja sociale dhe mallrat e shërbimet e ndryshme shënuan rritje 0.1% secili.
Të dhënat janë publikuar nga ASK në komunikatën për Indeksin e Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit për muajin gusht 2026.
Emiratet e Bashkuara Arabe njoftuan 40 miliardë euro investime të reja në Gjermani, shumë që më shumë se dyfishon paratë e derdhura deri tani nga shteti i Gjirit në ekonominë gjermane.

