Gjykata Themelore në Prishtinë e dënoi ministrin në detyrë të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, me një vit burgim me kusht për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës më 21 mars 2018. Në sallë ishte vetëm avokati i tij.

Karrigia e të pandehurit mbeti bosh në momentin kur u lexua dënimi: ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, nuk u paraqit fare në seancën ku Gjykata Themelore në Prishtinë vendosi ta dënojë me një vit burgim me kusht për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës. Në sallë, para gjykatësit Sabit Sadikaj, e përfaqësoi vetëm avokati i tij.
Sipas vendimit të gjykatës, dënimi prej një viti burgim nuk do të ekzekutohet nëse Sveçla nuk kryen vepër tjetër penale brenda periudhës së verifikimit prej një viti.
Prokuroria kishte kërkuar shumë më tepër. Prokurori i rastit deklaroi në seancë se qëndron prapa rrethanave rënduese dhe lehtësuese të paraqitura në fjalën përfundimtare të 28 gushtit 2026, duke kujtuar edhe kornizën ligjore: "Duke qenë se tanimë gjykata të pandehurin Xhelal Sveçla e ka shpallur fajtor për këtë vepër penale, duke pasur parasysh se neni 375 paragrafi 2 i KPRK-së parashihet për këtë vepër penale dënim me gjobë deri në 10 mijë euro dhe dënim me burg prej 1-10 vjet". Kërkesa e tij ishte e prerë: "Gjykatës i propozojmë që me rastin e dënimit të pandehurit Xhelal Sveçla t'i shqiptohet dënim me burgim efektiv në kohëzgjatje prej 2 vitesh dhe dënim me gjobë në shumën prej 3 mijë euro".
Mbrojtja zgjodhi heshtjen procedurale. "Duke u nisur nga fakti që i mbrojturi im nuk e ka pranuar fajësinë, ne nuk e shohim të arsyeshme që të paraqesim propozime apo të japim komente rreth rrethanave", tha avokati mbrojtës, duke mos parashtruar asnjë propozim për lartësinë e dënimit.
Rasti daton nga 21 marsi 2018, kur gjatë seancës së Kuvendit të Kosovës për ratifikimin e Marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi, në sallën plenare u hodh gaz lotsjellës, seanca u ndërpre dhe deputetët u larguan. Më 2 shtator 2026, Gjykata Themelore në Prishtinë e kishte shpallur Sveçlën fajtor për veprën penale "Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm", me konstatimin e gjykatësit Sadikaj se ai kishte aktivizuar dhe hedhur bombolën e gazit lotsjellës në sallë, duke pamundësuar vazhdimin e seancës.
Për pikën e dytë të akuzës, "Pengimin e personit zyrtar në kryerjen e detyrës zyrtare", gjykata kishte marrë aktgjykim refuzues, pasi ndjekja penale kishte arritur parashkrimin. Gjatë procesit, Sveçla nuk e kishte pranuar fajësinë, duke e lidhur veprimin e tij me kundërshtimin politik ndaj ratifikimit të marrëveshjes së demarkacionit.
Shkuan në stacion për t'u ankuar ndaj një tikete trafiku dhe përfunduan në ndalim policor. Prokuroria Themelore në Prizren ka caktuar 48 orë ndalim për një baba dhe djalin e tij 17-vjeçar, të dyshuar për sulm ndaj një zyrtari policor.

