Nga 750.9 milionë euro të parapara për rrugë, shkolla e spitale, Qeveria e Kosovës kishte shpenzuar deri në fund të shtatorit vetëm 225.5 milionë, sipas Institutit GAP. Ndërkohë, projektbuxheti për vitin 2027 ende nuk ka arritur në Kuvend, edhe pse afati ligjor ka kaluar.

Ilustrim i krijuar me inteligjencë artificiale. Nuk është fotografi e ngjarjes. Si e përdorim AI-në
Më shumë se gjysmë miliardi euro të planifikuara për investime kapitale kanë mbetur në arkën e shtetit. Gjatë nëntë muajve të parë të vitit 2026, Qeveria e Kosovës ka shpenzuar 225.5 milionë euro nga 750.9 milionë euro të buxhetuara për këtë zë, ndërsa 525.4 milionë euro ende nuk janë prekur, sipas të dhënave të publikuara nga Instituti GAP.
Kjo do të thotë se deri në fund të shtatorit është realizuar vetëm 30 për qind e buxhetit kapital. "Qeveria Qendrore e Kosovës ka shpenzuar vetëm 225.5 milionë euro nga 750.9 milionë euro të buxhetit për investime kapitale, pra 30% të buxhetit", thuhet në njoftimin e institutit.
Investimet kapitale, sipas GAP-it, janë paratë që shkojnë për rrugë, shkolla, spitale dhe infrastrukturë tjetër që synon zhvillimin ekonomik të vendit. Pikërisht për këtë arsye, ritmi i shpenzimit të tyre shihet si tregues i drejtpërdrejtë i asaj se sa po ndërtohet në terren.
Instituti ka sqaruar se infografika e publikuar mbulon vetëm investimet e Qeverisë Qendrore. Komunat janë lënë jashtë, sepse sipas GAP-it investimet kapitale në nivel lokal nuk e pasqyrojnë drejt gjendjen e përgjithshme. "Një pjesë e madhe e buxhetit të kapitalëve është duke u përdorur për të paguar obligime gjyqësore (përfshirë edhe ato për kontratat kolektive)", thuhet në sqarimin e institutit. Në shifrat e paraqitura nuk përfshihen as investimet kapitale që financohen nga grantet e përcaktuara të donatorëve.
Të dhënat vijnë në një moment kur debati për financat publike po zhvendoset te viti i ardhshëm. Kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se me buxhetin e vitit 2027 rreth 1 miliard euro do të jenë të destinuara vetëm për investime kapitale. Për krahasim, buxheti i përgjithshëm i vitit 2026 ishte rreth 4 miliardë euro.
Por projektbuxheti për vitin 2027 ende nuk është proceduar në Kuvend, ndonëse afati ligjor për dorëzimin e tij ishte 31 tetori. Kurti ka paralajmëruar se propozimi i buxhetit për vitin 2027 do të bëhet të hënën.
Paralajmërimi për gjoba ka sjellë 81 biznese online në regjistrin e MINT brenda vetëm dy javësh. Nga 1 nëntori nisin kontrollet, ndërsa ATK pranon se shumë shitës në rrjete sociale mbeten të pagjurmueshëm.

