Në bankën e të akuzuarve në Hagë janë katër emra, por teoria mbi të cilën Prokuroria ka ndërtuar akuzën, "ndërmarrja e përbashkët kriminale", është ndër më të kontestuarat në drejtësinë ndërkombëtare. Profesori amerikan Timothy Waters thotë se provimi i krimeve nuk është pjesa e vështirë, por lidhja e tyre me të akuzuarit.

Teknikisht, në gjykim janë vetëm katër njerëz: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi. Por konstruksioni juridik mbi të cilin Prokuroria e Dhomave të Specializuara e ka ngritur akuzën, teoria e njohur si "ndërmarrja e përbashkët kriminale", mund të ketë pasoja shumë më të gjera se fati i katër individëve. Këtë vlerësim e jep Timothy Waters, profesor i së Drejtës në Universitetin e Indianës dhe ekspert i së drejtës penale ndërkombëtare, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë.
Waters, i cili ka punuar edhe në çështjen e ish-presidentit serb Sllobodan Millosheviq në Tribunalin për ish-Jugosllavinë, u ndal veçanërisht te mënyra se si Prokuroria e ka ndërtuar rastin ndaj ish-krerëve të UÇK-së. Sipas tij, kjo teori përdoret për të lidhur individë me krime që nuk pretendohet se i kanë kryer apo urdhëruar drejtpërdrejt, dhe pikërisht për këtë arsye është një nga teoritë më të debatueshme në drejtësinë penale ndërkombëtare.
Në aspektin juridik, thotë ai, në bankën e të akuzuarve janë vetëm Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi. Megjithatë, një proces i tillë shpesh perceptohet nga publiku si gjykim ndaj një lëvizjeje më të gjerë politike apo ushtarake. Waters e quan këtë një dukuri jo të pazakontë në gjykimet për krime lufte: që nga tribunalet e pas Luftës së Dytë Botërore, procese të tilla kanë pasur ndikim që shkon përtej përgjegjësisë individuale.
Pjesa më e vështirë e procesit, sipas tij, nuk është domosdoshmërisht të provohet se krimet kanë ndodhur, por të dëshmohet lidhja mes atyre krimeve dhe personave që ndodhen në bankën e të akuzuarve. Thaçi dhe të akuzuarit e tjerë nuk akuzohen domosdoshmërisht se i kanë kryer vetë krimet, shpjegon Waters. Prokuroria përpiqet të dëshmojë se ata kanë pasur një marrëdhënie me strukturat dhe personat që dyshohet se i kanë kryer ato.
Aty hyn në lojë teoria e ndërmarrjes së përbashkët kriminale, e cila mundëson që një person të mbajë përgjegjësi për krime të kryera nga të tjerë, edhe kur nuk pretendohet se ka qenë fizikisht i pranishëm në vendin e krimit. Si shembull, Waters sjell rastin e Millosheviqit, ku lidhja mes tij dhe krimeve në Kosovë, Bosnje e Kroaci ndërtohej përmes komunikimeve, urdhrave dhe marrëdhënieve me persona të tjerë.
Të provosh se një krim ka ndodhur mund të jetë relativisht më e lehtë, thotë ai: ka dëshmi, viktima, prova materiale, pamje filmike, dëshmitarë. Të provosh lidhjen e atij krimi me një person brenda një strukture politike apo ushtarake është shumë më e ndërlikuar. Pikërisht sepse teoria i jep Prokurorisë mundësinë ta ndërtojë këtë lidhje në mënyrë më të gjerë, ajo është kritikuar shpesh.
Waters e sheh plotësisht të mundshëm skenarin ku gjyqtarët konkludojnë se disa krime janë kryer, por nuk gjejnë prova të mjaftueshme për t'i lidhur ato me katër të akuzuarit. Qëllimi i një gjykimi, thekson ai, nuk duhet të jetë dënimi i njerëzve me çdo kusht, por përcaktimi nëse akuzat janë provuar apo jo.
Nëse Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi shpallen fajtorë, vendimi në radhë të parë do të jetë ndaj katër individëve, por Waters pret që të interpretohet politikisht në mënyra krejt të kundërta: në Serbi si dëshmi për paligjshmërinë e UÇK-së, ndërsa në Kosovë një pjesë e madhe e shoqërisë mund ta refuzojë si të padrejtë ose jolegjitim.
Edhe Tribunali për ish-Jugosllavinë, kujton ai, kishte synimin të kontribuonte në pajtimin mes shoqërive, por sipas vlerësimit të tij ky objektiv nuk është arritur. Është e vështirë të besohet se një gjykatë e jashtme mund të ndryshojë mënyrën se si një shoqëri e sheh të kaluarën, sidomos kur shumë njerëz nuk e konsiderojnë atë gjykatë legjitime. Dhomat e Specializuara janë pjesë e sistemit juridik të Kosovës, por funksionojnë në Hagë dhe përbëhen nga gjyqtarë e prokurorë ndërkombëtarë.
Për vendimin e 16 shtatorit, Waters parashikon një rëndësi të madhe politike në Kosovë dhe në rajon. Për botën juridike, thotë ai, do të ketë peshë mënyra se si gjykata do ta trajtojë teorinë e ndërmarrjes së përbashkët kriminale dhe nëse do të sjellë një zhvillim të ri në të drejtën penale ndërkombëtare. Por se vendimi do ta ndryshojë mënyrën se si shqiptarët në Kosovë apo serbët në Serbi e shohin historinë e luftës, ai mbetet skeptik.
Pushime të ndërprera, togje rezervë nga gjashtë qytete, patrulla para ambasadave dhe një ekip zjarrfikësish në parkingun e EULEX-it: plani operacional i Policisë së Kosovës për ditën kur Dhomat e Specializuara pritet të shpallin aktgjykimin ndaj Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit.

