Një 47-vjeçar u qëllua në kokë në aksin Dobidol-Çifllak rreth orës 02:20 të 22 gushtit dhe, sipas dëshmisë së tij, arriti t'ia rrëmbejë armën sulmuesit e të nisej vetë drejt spitalit. Policia sekuestroi një pistoletë spanjolle pa karikator, ndërsa sulmuesi mbetet i paidentifikuar.

Një automjet që i jep sinjale me drita në errësirë, një ndalesë për të parë se çfarë kërkonte shoferi tjetër dhe, menjëherë pas saj, tri të shtëna. Kështu dyshohet se ka nisur ngjarja e rëndë e regjistruar në orët e para të 22 gushtit në rajonin e Rahovecit, ku një 47-vjeçar, i identifikuar me inicialet A. Berisha, u plagos me armë zjarri.
Sipas deklarimit të tij, ai po lëvizte rreth orës 02:20 në aksin Dobidol-Çifllak kur vetura pas tij nisi t'i bënte shenjë me drita. Ai u ndal. Në ato momente situata dyshohet se ka eskaluar në të shtëna: një person qëlloi tri herë në drejtim të tij, njëri prej plumbave e goditi në pjesën e pasme të kokës, ndërsa dy të tjerët nuk e kapën.
Sulmi, gjithnjë sipas rrëfimit të 47-vjeçarit, nuk përfundoi aty. I dyshuari dyshohet se iu afrua dhe e goditi disa herë me kondakun e armës së shkurtër. Gjatë përleshjes që pasoi, Berisha pretendon se ia mori armën nga dora personit që e kishte sulmuar.
I plagosur, ai hyri në veturën e vet dhe u nis drejt Rahovecit për ndihmë mjekësore. Gjatë rrugës telefonoi Stacionin Policor në Rahovec dhe kërkoi që një patrullë t'i dilte përpara, pasi dyshonte se sulmuesi po e ndiqte me veturë nga pas. Pas alarmit u nisën dy patrulla policore dhe ekipi i emergjencës. Ai u lokalizua në fshatin Bellacërkë dhe u transportua nën përcjellje policore në Emergjencën e Spitalit të Gjakovës.
Në vendin e ngjarjes dolën hetuesit dhe njësia e forenzikës. Gjatë veprimeve policore u gjet dhe u sekuestrua një pistoletë e tipit MOD. A-80, prodhim spanjoll, pa karikator dhe pa municion.
Personi që dyshohet se qëndron prapa sulmit ende nuk është identifikuar zyrtarisht. Viktima u ka dhënë hetuesve disa të dhëna për personin që dyshon se mund të jetë sulmuesi, të dhëna të cilat pritet të verifikohen.
Për rastin është njoftuar Prokurori i Departamentit të Krimeve të Rënda në Gjakovë, me udhëzimin e të cilit është iniciuar procedura për veprat "Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armës" dhe "Lëndim i rëndë trupor". Hetimet vazhdojnë për identifikimin e të dyshuarit dhe për zbardhjen e motivit e të rrethanave të plota të sulmit.
Pushime të ndërprera, togje rezervë nga gjashtë qytete, patrulla para ambasadave dhe një ekip zjarrfikësish në parkingun e EULEX-it: plani operacional i Policisë së Kosovës për ditën kur Dhomat e Specializuara pritet të shpallin aktgjykimin ndaj Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit.

