Ministrja në detyrë e Mjedisit njofton mbylljen e një hoteli dhe restoranti që vepronte brenda zonës së mbrojtur të Liqenit të Radoniqit dhe kërkon hetim edhe për ish-zyrtarët që e lejuan.

Një hotel dhe restorant që operonte pikërisht brenda zonës së mbrojtur të Liqenit të Radoniqit është urdhëruar të mbyllet, pasi aktiviteti i tij, sipas autoriteteve, rrezikonte sigurinë dhe cilësinë e ujit të pijshëm.
Njoftimin e ka bërë ministrja në detyrë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Fitore Pacolli, e cila ka thënë se aktiviteti i hotelit dhe restorantit "Liqeni i Dukagjinit" është zhvilluar në kundërshtim me legjislacionin mjedisor dhe me rregullat që përcaktojnë mbrojtjen e burimeve të ujit të pijshëm.
Sipas saj, Inspektorati i Mjedisit ka ndërmarrë masën e mbylljes, pasi dyshohet se biznesi ka vepruar në kundërshtim me Ligjin për Ujërat, me Vendimin 09/127 të Qeverisë për përcaktimin e zonave sanitare të Liqenit të Radoniqit, si dhe me akte të tjera nënligjore. Pacolli ka theksuar se pikërisht këto shkelje kanë rrezikuar sigurinë dhe cilësinë e ujit të pijshëm.
Ministria ka kërkuar një hetim të plotë për të gjitha rrethanat që kanë mundësuar funksionimin e këtij aktiviteti brenda një zone të mbrojtur. Sipas Pacollit, hetimi duhet të përfshijë edhe veprimet e ish-zyrtarëve përgjegjës, për të verifikuar nëse ka pasur keqpërdorim të detyrës zyrtare.
"Si Ministri, kemi kërkuar hetim të plotë të të gjitha rrethanave dhe përgjegjësve që kanë mundësuar këtë abuzim të hapur. Kjo përfshin edhe hetimin e veprimeve të ish-zyrtarëve përgjegjës, të cilët mund të kenë keqpërdorur detyrën për të lejuar këtë situatë", ka shkruar Pacolli.
Ministrja në detyrë e ka cilësuar mbrojtjen e burimeve dhe rezervuarëve të ujit të pijshëm si detyrim ligjor dhe përgjegjësi institucionale. "Mbrojtja e burimeve dhe rezervuarëve të ujit të pijshëm është obligim ligjor dhe përgjegjësi e jona thelbësore ndaj qytetarëve. Ujërat e Kosovës do t'i mbrojmë me vendosmëri, pa asnjë përjashtim!", ka përfunduar ajo.
Pushime të ndërprera, togje rezervë nga gjashtë qytete, patrulla para ambasadave dhe një ekip zjarrfikësish në parkingun e EULEX-it: plani operacional i Policisë së Kosovës për ditën kur Dhomat e Specializuara pritet të shpallin aktgjykimin ndaj Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit.

