Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, avokatja e ish-presidentit Hashim Thaçi kërkoi shpalljen e tij të pafajshëm, ndërsa prokuroria këmbëngul në gjashtë vjet burgim për pretendimet se ai ndikoi te dëshmitarët nga qelia.

Mbrojtja e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ka kërkuar para trupit gjykues të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë që ai të shpallet i pafajshëm dhe të lirohet nga të gjitha akuzat për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë.
"Ne kërkojmë që vendimi juaj të bazohet në prova dhe jo në spekulime dhe që të jetë lirimi nga të gjitha akuzat", deklaroi avokatja e tij, Sophie Menegon, në seancën e së mërkurës, duke i cilësuar argumentet e Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS) si spekulime.
Seanca për paraqitjen e deklaratave përfundimtare vazhdon edhe sot. Në bankën e të akuzuarve, përveç Thaçit, janë Bashkim Smakaj, Isni Kilaj, Fadil Fazliu dhe Hajredin Kuçi. Të pesë janë deklaruar të pafajshëm.
Mbrojtja u ndal te dëshmitarët e përmendur nga prokuroria, mes tyre Rrustem Mustafa, Bislim Zyrapi dhe një dëshmitar i mbrojtur, duke theksuar se gjatë marrjes në pyetje ata kanë mohuar se janë ndikuar nga Thaçi apo nga persona të tjerë. Sipas saj, gjatë procesit nuk është dëshmuar ndonjë ndërhyrje konkrete në administrimin e drejtësisë dhe ZPS-ja nuk ka arritur ta provojë fajësinë e Thaçit përtej dyshimit të arsyeshëm.
Menegon kritikoi edhe mënyrën se si prokuroria ka trajtuar format e përgjegjësisë penale, duke pretenduar se aktakuza nuk është koherente në këtë aspekt dhe se akuzat nuk mbështeten me prova të mjaftueshme. Nën shenjë pyetjeje u vu gjithashtu dëshmia e ekspertit të prokurorisë, Koen Herlaar, metodologjinë e të cilit mbrojtja e quajti problematike.
Kërkesa e mbrojtjes erdhi pasi ZPS-ja kishte kërkuar shpalljen fajtorë dhe dënimin e të gjithë të akuzuarve: gjashtë vjet burgim për Thaçin, nga tre vjet për Smakajn, Kilajn dhe Fazliun, si dhe nëntë muaj burgim për Kuçin. Prokurori Joshua Hafetz tha se, sipas ZPS-së, veprimet e të akuzuarve janë provuar përtej dyshimit të arsyeshëm dhe përbëjnë ndërhyrje në procesin gjyqësor.
Në thelb të akuzës qëndron pretendimi se Thaçi, gjatë qëndrimit në paraburgim në Hagë, zhvilloi kontakte me persona të tjerë dhe diskutoi për dëshmitë e dëshmitarëve në procesin e tij kryesor, atë për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Prokuroria pretendon se nëntë vizita në qendrën e paraburgimit, brenda një periudhe katërmujore, kanë rezultuar me rreth 28 orë incizime, në të cilat, sipas saj, përmbahen biseda që lidhen me dëshmitarë dhe me procesin gjyqësor.
Kryeprokurorja Kimberly West ka deklaruar se Thaçi, sipas pretendimeve të ZPS-së, kishte formuar grupe me persona që kishin njohje me dëshmitarë të caktuar, me qëllim të ndikimit në dëshmitë e tyre. Prokuroria pretendon se gjatë këtyre kontakteve janë diskutuar, ndër të tjera, dëshmitë e Rrustem Mustafës, Bislim Zyrapit, Sylejman Selimit dhe të një dëshmitari të mbrojtur.
Sipas aktakuzës, Thaçi përballet me tri akuza: pengim i personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, shkelje e fshehtësisë së procedurës dhe mosbindje ndaj gjykatës. Kilaj, Smakaj dhe Fazliu akuzohen për tentativë të pengimit të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare dhe për mosbindje ndaj gjykatës, ndërsa Kuçi përballet me dy akuza për mosbindje ndaj gjykatës. Nuk dihet ende kur trupi gjykues do ta shpallë vendimin.
Shkuan në stacion për t'u ankuar ndaj një tikete trafiku dhe përfunduan në ndalim policor. Prokuroria Themelore në Prizren ka caktuar 48 orë ndalim për një baba dhe djalin e tij 17-vjeçar, të dyshuar për sulm ndaj një zyrtari policor.

