Një ankesë për substancë të dyshimtë në një vilë të pabanuar në Brezovicë çoi Policinë te më shumë se një kilogram marihuanë dhe te dy peshore digjitale. Një i ri me iniciale N.B. është ndaluar për 48 orë.

Nisi si një ankesë e thjeshtë për një substancë të dyshimtë në një vilë të pabanuar dhe përfundoi me sekuestrimin e më shumë se një kilogrami marihuanë. Rasti u zbulua më 19 gusht në Brezovicë, ku Policia arrestoi një të ri rreth 27-vjeçar, i identifikuar me iniciale N.B.
Sipas rrjedhës së ngjarjes, Stacioni Policor në Shtërpcë kishte pranuar një ankesë se në një vilë ishte hasur substancë që dyshohej të ishte marihuanë. Njësitet policore dolën në lokacion, ku hasën të riun. Gjatë kontrollit ndaj tij u gjet substancë e dyshuar narkotike e llojit marihuanë, si dhe dy peshore digjitale të vendosura në një çantë të zezë.
Dyshimet e ngritura e zgjeruan kontrollin edhe në një vilë të një familjari të tij. Edhe atje Policia hasi në substancë të dyshuar narkotike të shpërndarë në tokë.
Në rast u përfshi më pas Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë (DHTN) në Ferizaj. Gjatë veprimeve policore u sekuestruan disa sasi të ndara të marihuanës: 41.2 gramë, 12.7 gramë, 430.9 gramë, 505.3 gramë dhe 72.9 gramë — në total, sipas të dhënave të rastit, 1 kilogram e 63 gramë substancë e dyshuar marihuanë.
Përveç narkotikëve, si prova materiale u sekuestruan dy peshore digjitale, një çantë krahu e zezë, një thikë metalike dhe një telefon Samsung A30.
Për rastin u njoftua prokurori kujdestar i Departamentit të Krimeve të Rënda në Prokurorinë Themelore në Ferizaj, i cili autorizoi intervistimin e të dyshuarit. Pas përfundimit të procedurave fillestare, ndaj tij u nxor aktvendim për ndalim prej 48 orësh.
Rasti po hetohet nën dyshimin për veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge”. I dyshuari prezumohet i pafajshëm derisa fajësia të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
Pushime të ndërprera, togje rezervë nga gjashtë qytete, patrulla para ambasadave dhe një ekip zjarrfikësish në parkingun e EULEX-it: plani operacional i Policisë së Kosovës për ditën kur Dhomat e Specializuara pritet të shpallin aktgjykimin ndaj Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit.

