Pas më shumë se një viti vonesash, Kosova ka plotësuar kornizën ligjore për t'iu bashkuar Zonës së Vetme të Pagesave në Euro. Banka Qendrore vlerëson se qytetarët, bizneset dhe diaspora mund të kursejnë mbi 55 milionë euro në vit, por data e pranimit mbetet e hapur.

Ilustrim i krijuar me inteligjencë artificiale. Nuk është fotografi e ngjarjes. Si e përdorim AI-në
Mbi 55 milionë euro në vit: aq vlerëson Banka Qendrore e Kosovës (BQK) se mund të kursejnë qytetarët, bizneset dhe diaspora nëse Kosova përfshihet në Zonën e Vetme të Pagesave në Euro (SEPA). Rruga drejt aplikimit tani është e hapur, pasi me miratimin e plotësim-ndryshimit të Ligjit për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Luftimin e Financimit të Terrorizmit është kompletuar korniza ligjore që i nevojitej procesit.
Ky ligj ishte copëza e fundit e paketës. Para tij ishin miratuar Ligji për Bankat dhe Ligji për Shërbimet e Pagesave, dy akte të tjera që e përgatitën terrenin për vazhdimin e procedurave.
Sipas BQK-së, kursimet do të vijnë kryesisht nga ulja e kostove të transfereve ndërkufitare. Ndikimi pritet të ndihet më drejtpërdrejt te familjet që marrin remitanca nga diaspora dhe te bizneset që kryejnë pagesa me partnerë evropianë.
Hapat e mbetur janë të përcaktuar. Pasi ndryshimet ligjore të publikohen në Gazetën Zyrtare, BQK-ja pritet të miratojë rregulloret përkatëse që burojnë nga ligji, të përditësojë dokumentacionin teknik dhe procedural dhe më pas të paraqesë aplikimin pranë autoriteteve kompetente evropiane.
Procesi nuk nis nga zero. BQK-ja kishte bërë paraaplikimin për SEPA-n në fund të vitit 2024, por shqyrtimi kushtetues dhe rikthimi i ligjeve për rishqyrtim e ngecën rrugën në atë kohë. Banka Qendrore thotë se gjatë kësaj periudhe nuk ka ndalur përgatitjet rregullative dhe teknike, duke punuar me bankat dhe institucionet e pagesave, me synimin që zbatimi të përshpejtohet pas një pranimi eventual.
Aplikimi, megjithatë, nuk sjell anëtarësim të menjëhershëm. Kërkesa e Kosovës do t'i nënshtrohet vlerësimit nga autoritetet kompetente evropiane, të cilat mund të kërkojnë sqarime apo informacione shtesë, veçanërisht për ndryshimet që ka pësuar legjislacioni evropian pas vitit 2024. Sipas BQK-së, procesi nuk është automatik dhe një datë e saktë pranimi nuk mund të caktohet paraprakisht.
Edhe pas dritës jeshile do të ketë punë për t'u bërë. Institucionet financiare të licencuara në Kosovë do të duhet të regjistrohen në Këshillin Evropian të Pagesave (EPC), ndërsa institucionet financiare në vendet pjesëmarrëse të SEPA-s do të duhet të përditësojnë sistemet e tyre për të mundësuar pagesat me Kosovën. Duke u bazuar në përvojën e vendeve të rajonit, BQK-ja vlerëson se kjo fazë teknike dhe operacionale mund të zgjasë rreth gjashtë muaj.
Përtej kostove më të ulëta, Banka Qendrore e sheh integrimin në SEPA si hap që do të lehtësojë tregtinë, do të përmirësojë efikasitetin operacional dhe do ta lidhë sistemin financiar të Kosovës me tregun evropian të pagesave.
Një qendër të dhënash me investime miliardëshe është planifikuar në Sllatinë të Vitisë. Mbi 3 mijë vendet e punës mbeten objektiv, jo realitet, por komuna ka dhënë tashmë pëlqimin institucional.

