Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut ka kryer mbi 3 mijë inspektime në gjashtëmujorin e parë të vitit 2026, nga çmimet e naftës te cigaret elektronike pranë shkollave fillore, ndërsa gjobat kanë arritur rreth 600 mijë euro, 33.33 për qind më shumë se një vit më parë.

Çmime që nuk përputhen mes raftit dhe arkës, produkte me afat të skaduar, peshore dhe mjete matëse jashtë vlefshmërisë, biznese që punojnë pa u regjistruar fare në ARBK. Këto janë disa nga shkeljet që kanë çuar në gjoba prej rreth 600 mijë eurosh gjatë gjashtë muajve të parë të vitit 2026 në Kosovë.
Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI) njoftoi se Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut (IQMT) ka realizuar në këtë periudhë mbi 3 mijë inspektime, të përqendruara në tregun e derivateve të naftës, sigurinë e përgjithshme të produkteve, mbikëqyrjen e tregut dhe mbrojtjen e konsumatorit. Sipas ministrisë, kontrollet nisën të intensifikohen pas hyrjes në fuqi, në shkurt, të Ligjit për Inspektoratin Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut.
Përveç tyre, janë kryer mbi 250 inspektime për të verifikuar nëse operatorët ekonomikë i plotësojnë kushtet minimale teknike, ndërsa janë adresuar mbi 600 ankesa të konsumatorëve.
Rritja e numrit të kontrolleve është shoqëruar me rritje të ndëshkimeve. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, shqiptimi i gjobave është rritur për 33.33 për qind. "Gjatë pjesës së parë të vitit 2026 janë shqiptuar afërsisht 600 mijë euro gjoba për shkelje të ndryshme të evidentuara gjatë inspektimeve", thuhet në komunikatën e ministrisë.
Ndër shkeljet e evidentuara ministria rendit mospërputhjen e çmimeve raft-arkë, tregtimin e produkteve pa deklaracion, ushtrimin e veprimtarisë pa regjistrim në ARBK, përdorimin e mjeteve matëse me afat të skaduar të vlefshmërisë dhe mosrespektimin e afateve të përcaktuara në procesverbalet e inspektimit. Gjoba janë shqiptuar edhe për tregtimin e produkteve me afat të skaduar dhe për vendosjen në treg të produkteve që nuk janë në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Disa aksione janë zhvilluar në sektorë që prekin drejtpërdrejt xhepin dhe shëndetin e qytetarëve: çmimet e derivateve të naftës, njehsorët elektrikë, kriptovalutat, qendrat e masazhit dhe lokalet e natës. Inspektorët kanë kontrolluar edhe produktet e qumështit, shitjen e cigareve elektronike në afërsi të shkollave fillore dhe parkingjet private të paregjistruara në ARBK. Një pjesë e këtyre aksioneve janë kryer bashkërisht me Policinë e Kosovës, Administratën Tatimore të Kosovës, Agjencinë e Metrologjisë së Kosovës dhe Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë.
Në planin institucional, sipas MINTI-t, ka përfunduar faza e parë e transferimit të inspektorëve lokalë të tregut në Inspektoratin Qendror. "Ky proces ka krijuar kapacitete më të mëdha për mbikëqyrjen e tregut në nivel vendi, ndërsa deri në fund të vitit 2026 synohet që numri i Inspektorëve të Tregut të arrijë në 100", thuhet në komunikatë.
Për ankesat e qytetarëve, ministria ka lansuar një platformë në Viber, ndërsa është funksionalizuar edhe Këshilli për Mbrojtjen e Konsumatorëve, i cili deri në korrik ka mbajtur katër takime për problemet me të cilat përballen konsumatorët. MINTI ka deklaruar se do të vazhdojë forcimin e kapaciteteve inspektuese dhe bashkëpunimin ndërinstitucional, me synim krijimin e një tregu më të rregullt, transparent dhe të sigurt për bizneset dhe konsumatorët.
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, u kërkoi asamblistëve votën për dhënien në shfrytëzim të "Tulltores" për 50 vjet, duke insistuar se toka nuk falet dhe se komuna do të përfitojë mbi 50 milionë euro gjatë kësaj periudhe.

