Njëzet e shtatë vjet pas luftës në Kosovë, mbi 1.500 persona mbahen ende si të zhdukur. Institucionet e Kosovës presin vazhdimin e gërmimeve në pesë lokacione tjera, ndërsa pas zbulimeve të fundit në Zubin Potok nis procesi i identifikimit me analiza të ADN-së.

Njëzet e shtatë vjet pas përfundimit të luftës në Kosovë, mbi 1.500 persona vazhdojnë të mbahen në listat e të zhdukurve. Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Viktimave të Zhdukjeve me Dhunë, institucionet e Kosovës kanë bërë të ditur se presin vazhdimin e gërmimeve në pesë lokacione tjera, ku dyshohet se ende gjenden mbetje mortore.
Kryesuesi i Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur, Agron Limani, foli për gërmimet e kohëve të fundit në tri lokacione në Zubin Potok gjatë një paneli diskutimi me temën "Lokacione të reja, pyetje të vjetra: Ku ndodhet kërkimi për të zhdukurit e luftës?".
"Përpjekjet, gërmimet dhe angazhimi për zbardhjen e fatit të këtyre personave janë ndërmarrë edhe më parë, por nuk kishte informacione të besueshme që do të çonin te lokacionet e sakta. Fatmirësisht, ia dolëm të marrim tri lokacione precize. Bëhet fjalë për dy në Kaludër dhe një në Jabukë", tha Limani.
Zyrtari i Institutit të Mjekësisë Ligjore, Ditor Haliti, tha se së shpejti pritet të nisë procesi i identifikimit të viktimave përmes analizave të ADN-së dhe ekzaminimeve antropologjike. Sipas tij, nëse nuk ka probleme gjatë nxjerrjes së profileve të ADN-së nga mostrat kockore, procesi i identifikimit mund të zgjasë deri në tre muaj. Haliti shtoi se ekziston interesimi që të rikryhen gërmimet në pesë lokacione të tjera, pasi dyshohet se atje ende ka mbetje mortore. Nuk është bërë e ditur se kur do të nisin këto gërmime dhe as për cilat lokacione konkretisht bëhet fjalë.
Përfaqësuesi i Ministrisë së Drejtësisë, Baki Svirca, theksoi se zbardhja e këtyre rasteve duhet të shoqërohet edhe me vendosjen e drejtësisë. "Paralelisht me zhvillimet më të fundit, po zhvillohen edhe procedura ligjore para gjykatave tona. Paradoksi qëndron në faktin se, ndërsa zhvillohet procesi i drejtësisë dhe ndërsa aktgjykimi nuk guxon të prejudikohet, në Serbi po zhvillohet një proces frikësimi i atyre që kanë informacione për këto raste, gjë që e vështirëson edhe më shumë punën", tha ai.
Diskutimi u organizua nga organizatat "Pro Peace Kosovo" dhe "Integra", në bashkëpunim me "Qendrën Barabar". Pjesëmarrësit folën edhe për sfidat në punën me personat e zhdukur, bashkëpunimin ndërinstitucional dhe qasjen ndaj familjeve.
Shkuan në stacion për t'u ankuar ndaj një tikete trafiku dhe përfunduan në ndalim policor. Prokuroria Themelore në Prizren ka caktuar 48 orë ndalim për një baba dhe djalin e tij 17-vjeçar, të dyshuar për sulm ndaj një zyrtari policor.

