Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Arlind Manxhuka, u ul vetë para trupit gjykues të Apelit për të kundërshtuar dënimin për nxitje urrejtjeje ndaj një gjyqtari dhe një ish-prokurori të rastit Pantiq. Prokuroria kërkon që dënimi të mbetet në fuqi.

Katër të dënuar në shkallë të parë, mes tyre zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Arlind Manxhuka, dhe deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Egzon Azemi, kërkuan më 21 tetor 2026 para Gjykatës së Apelit që të shpallen të pafajshëm. Gjykata Themelore i kishte dënuar në lidhje me akuzën për nxitje urrejtjeje ndaj gjyqtarit Mentor Bajraktari dhe ish-prokurorit Afrim Shefkiu. Dy të tjerët në këtë rast janë Qerim Elshani dhe Edi Zenelaj.
Rrënjët e çështjes shkojnë te rasti i Dejan Pantiqit, i dyshuar për sulm terrorist në zyrat e Komisionit Komunal Zgjedhor në Mitrovicë të Veriut. Bajraktari, si gjyqtar i procedurës paraprake, dhe Shefkiu, si prokuror, kishin ndërmarrë veprime për ndryshimin e masës së paraburgimit ndaj Pantiqit. Reagimet që pasuan atë vendim janë ato që përfunduan në sallën e gjyqit.
Avokati i Manxhukës, Taulant Hodaj, e ndërtoi mbrojtjen mbi një dallim: atë mes fjalës së ashpër dhe veprës penale. Sipas tij, klienti i tij ka shprehur mllef me gjuhë ngacmuese, por kjo nuk përbën krim. "Janë dy fjalë që i ka bo në kontest të asaj kohe, a hin në kuadër të lirisë së shprehjes? Gjykata e shkallës së parë se ka bo këtë dallim, besoj që kjo gjykatë duhet me bo këtë dallim", tha Hodaj.
Hodaj iu referua edhe Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, e cila, sipas tij, raste të ngjashme i ka trajtuar si kritikë ndaj vendimeve gjyqësore, të mbrojtur nga liria e shprehjes. Ai i kërkoi trupit gjykues që ta vlerësojë gjuhën thumbuese dhe të bëjë dallimin për përgjegjësinë penale, duke paralajmëruar për pasojat e një standardi të tillë: "Nëse vazhdohet me këtë standard, kritika pa kërkuar dhunë e pa nxitje, nëse vazhdon atëherë çka mund të thojmë ndaj një vendimi për dhomat e specializuara, 70% e popullsisë së Kosovës duhet me u gjyku".
Manxhuka, i pranishëm personalisht, e vendosi reagimin e tij në kontekstin e vitit 2022 dhe të situatës në veri. "Në kontestin e reagimit, e dim që në vitin 2022 ka pas një lloj rezistence të jashtëzakonshme për kundër shtrirjes së rendit juridik dhe kushtetues në veri të vendit, madje e kem pa që pikërisht reagimi që e kemi bo ka qenë ish-pjesëtar i policisë së Kosovës dhe në kohën kur u patën shpall zgjedhjet lokale në veri ka qenë i dyshuar për hedhje me bombë dhe i dënum, dhe në rrethana të lehtësimit të dënimit ndodhi edhe reagimi, reagimi nuk ka përmend asnjë lloj emri se nuk i është adresuar kurrkujt individualisht ka qenë një indinjatë e shprehur asaj kohe si qëndrim i lirë i një qytetari të një vendi", tha ai para gjykatës së shkallës së dytë.
Azemi nuk ishte në sallë. Avokatja e tij, Teutë Xhema, kërkoi lirimin e tij për mungesë provash dhe argumentoi se Themelorja nuk i kishte zbatuar rekomandimet e shkallës së dytë, edhe pse rasti ishte kthyer një herë në rigjykim.
Në të njëjtën linjë foli edhe Muharrem Kurtaj, mbrojtësi i Elshanit, i cili po ashtu mungonte. Sipas Kurtajt, Themelorja nuk arriti të përcaktojë se kujt i ishte drejtuar kanosja, siç kishte kërkuar Apeli. Ai tha se Elshani kishte komentuar në një postim një thënie të Avni Rrustemit, pa iu drejtuar asnjë personi dhe asnjë pozite.
Albatrit Bytyqi, avokati i Edi Zenelajt, pohoi se aktgjykimi i shkallës së parë përmban një mori shkeljesh. Zenelaj iu bashkua ankesës së mbrojtësit të tij.
Në anën tjetër, sipas gjyqtarit që e paraqiti çështjen, Prokuroria ka kërkuar që aktgjykimi i Themelores të vërtetohet. Vendimi i Apelit ende nuk dihet.
Një burrë i moshuar shihet në video duke goditur me grushte një grua, ndërsa të dy rrinë ulur në një ulëse buzë lumit në Pejë. Prokuroria thotë se e ka pasur videon më herët dhe e ka autorizuar menjëherë policinë të veprojë.

