Sipas prokurorisë, gjithçka nisi me një mosmarrëveshje dhe një grusht në fytyrë, e përfundoi me një të ri të vrarë dhe dy të plagosur. Gjykimi ndaj njërit prej të akuzuarve vazhdon në Prishtinë.

Një mosmarrëveshje, një grusht në fytyrë dhe më pas të shtëna me pistoletë brenda një lokali në Lipjan. Kështu e rindërton prokuroria natën e 5 gushtit 2022, kur një 22-vjeçar mbeti i vrarë dhe dy persona të tjerë u plagosën.
Për këtë rast, në Gjykatën Themelore në Prishtinë po vazhdon gjykimi ndaj G.S., i cili akuzohet për vrasje të rëndë në bashkëkryerje.
Aktakuza u ngrit më 14 nëntor 2024. Sipas saj, konflikti shpërtheu pas një mosmarrëveshjeje mes të akuzuarve, nga njëra anë, dhe viktimës D.G. e të dëmtuarit J.G., nga ana tjetër. Prokuroria pretendon se G.S. e goditi i pari 22-vjeçarin me grusht në fytyrë, ndërsa pak më pas një tjetër i akuzuar, M.G., nxori pistoletën dhe shtiu në drejtim të tyre.
Plumbi e goditi të riun në gjoks dhe ai humbi jetën. J.G. mori plagë të rënda në bark, ndërsa një person tjetër, A.B., u plagos lehtë në këmbë nga një predhë e armës së zjarrit.
Të gjitha këto mbeten pretendime të prokurorisë, të cilat do të shqyrtohen në sallën e gjyqit. I akuzuari konsiderohet i pafajshëm derisa gjykata të vendosë me aktgjykim të formës së prerë.
Kryeprokurori i Shtetit dhe kryetarët e dy këshillave të drejtësisë janë parë sot duke u larguar nga Presidenca. Çfarë u bisedua me presidenten Justina Shiroka-Pula mbetet e panjohur.

