Kursimet e shqiptarëve po zhvendosen drejt monedhës vendase. Depozitat në lekë u rritën me 13.5% vit mbi vit dhe tejkaluan për herë të parë në dhjetë vjet gjysmën e totalit të depozitave në sistemin bankar.

Ilustrim i krijuar me inteligjencë artificiale. Nuk është fotografi e ngjarjes. Si e përdorim AI-në
Për herë të parë në dekadën e fundit, monedha vendase mban pjesën më të madhe të kursimeve të depozituara në bankat e Shqipërisë. Sipas të dhënave të fundit të Bankës së Shqipërisë, depozitat në lekë zënë rreth 50.1% të totalit, duke e kaluar për herë të parë pragun e 50 për qindëshit.
Ritmi i rritjes e shpjegon zhvendosjen. Depozitat në lekë u përshpejtuan me 13.5% vit mbi vit, ndërsa ato në valutë u rritën më ngadalë, me 10.5%. Prej më shumë se një viti kursimet në monedhën vendase po rriten më shpejt se ato në valutë, duke ndryshuar vetë strukturën e depozitave në sistemin bankar.
Banka e Shqipërisë e lidh përshpejtimin e depozitave në lekë me një ndërmjetësim financiar më të thelluar në monedhën vendase nga ana e bankave, me zgjerimin e ofertës monetare në lekë, si dhe me prirjen e vazhdueshme të agjentëve ekonomikë për t'i mbajtur ose investuar kursimet e tyre përmes sistemit bankar.
Edhe depozitat në valutë vazhdojnë të zgjerohen, por me një motor tjetër: kontributin më të lartë e kanë dhënë depozitat e bizneseve, në linjë me rritjen e aktivitetit turistik dhe me hyrjet e valutës në vend.
Në sfond qëndron zhvlerësimi i euros, i cili po shoqërohet me një ndryshim në vendimmarrjen e qytetarëve për sa u përket kursimeve të tyre. Rezultati është një peizazh i ri i kursimeve në Shqipëri, ku leku, pas dhjetë vjetësh, rikthehet në pozitën e monedhës mbizotëruese të depozitave.
Qumështoret që mbulonin mbi 40% të nevojave të tregut vendor kanë ndalur makineritë, sipas Shoqatës së Industrisë së Qumështoreve. Shoqata fajëson vendimet e Ministrisë së Bujqësisë dhe kërkon tërheqjen e tyre urgjente.

