Dy vjet pas nisjes, Ballkani Perëndimor ka tërhequr vetëm 11.2% të paketës prej 6 miliardë eurosh të BE-së. Kosova qëndron e fundit, ndërsa afati për reformat afrohet dhe rreziku i humbjes së fondeve rritet.

Nga gjashtë miliardë euro që Bashkimi Europian vuri në tavolinë për të përshpejtuar zhvillimin e Ballkanit Perëndimor, rajoni ka arritur të tërheqë deri tani vetëm një pjesë të vogël – dhe Kosova figuron në fund të listës me vetëm 7% të fondeve të përdorura.
Sipas të dhënave të WeBalkans.eu, platformës së komunikimit të BE-së për Ballkanin Perëndimor, nga viti 2024 deri në maj 2026 janë disbursuar vetëm 673.6 milionë euro, ose 11.2% e Planit të Rritjes. Rreth 5.33 miliardë euro mbeten ende të pashpërndara, ndërsa deri në afatin përfundimtar mbetet pak më shumë se një vit.
Të gjitha projektet e mbështetura nga ky plan duhet të përfundojnë deri në fund të vitit 2027 dhe nuk parashikohet asnjë shtyrje e afatit. Vetë paketa ndahet në 4 miliardë euro kredi me kushte të favorshme dhe 2 miliardë euro grante. Ndryshe nga programet klasike të ndihmës, pagesat janë të kushtëzuara: ato lidhen drejtpërdrejt me zbatimin e reformave të përcaktuara në Agjendën e Reformave të secilit vend. Shtetet raportojnë dy herë në vit dhe Komisioni Europian vlerëson më pas nëse objektivat janë përmbushur në mënyrë të kënaqshme.
Renditja tregon dallime të mëdha brenda rajonit. Mali i Zi dhe Shqipëria kryesojnë për nga përqindja e fondeve të tërhequra, edhe pse asnjëra prej tyre nuk ka arritur as një të katërtën e financimit të vënë në dispozicion. Mali i Zi ka marrë 89.3 milionë euro nga 383.5 milionë euro të alokuara, ose rreth 23.3%, ndërsa Shqipëria 212.8 milionë euro nga 922.1 milionë euro, rreth 23.1%.
Maqedonia e Veriut ka tërhequr 142.1 milionë euro nga 750.4 milionë euro, ose 18.9%. Serbia, që disponon paketën më të madhe në rajon, ka marrë vetëm 167.5 milionë euro nga rreth 1.59 miliardë euro të alokuara, pra 10.6%. Kosova mbyll listën me 61.8 milionë euro nga 882.6 milionë euro në dispozicion – vetëm 7%. Bosnjë-Hercegovina nuk ka marrë ende asnjë fond nga ky instrument; për më tepër, financimi i saj i planifikuar është ulur me 10%, nga 1.085 miliardë euro në 976.6 milionë euro, pasi ishte vendi i fundit që përfundoi Agjendën e Reformave.
Shifrat, megjithatë, kërkojnë lexim me kujdes. Përqindja prej 11.2% i referohet fondeve të lëvruara nga BE-ja dhe jo domosdoshmërisht investimeve të përfunduara. Në këstin e fundit prej 49 milionë eurosh për Shqipërinë, për shembull, 22.8 milionë euro u transferuan në buxhetin e shtetit, ndërsa pjesa tjetër u vu në dispozicion për projekte investimi përmes Kornizës së Investimeve për Ballkanin Perëndimor. I njëjti mekanizëm zbatohet edhe për vendet e tjera: nga kësti prej 44.2 milionë eurosh për Malin e Zi, 20.6 milionë euro shkuan në buxhet, ndërsa nga kësti prej 65.7 milionë eurosh për Maqedoninë e Veriut, 30.6 milionë euro u paguan drejtpërdrejt në buxhet. Fondet e mbetura janë të destinuara për projekte në transport, energji, dixhitalizim dhe kapital njerëzor. Kjo do të thotë se niveli real i zbatimit në projekte konkrete mund të jetë edhe më i ulët se shuma e raportuar si e disbursuar.
Ritmi i ngadaltë i reformave mund t’u kushtojë vendeve të rajonit një pjesë të financimit. Sipas WeBalkans, të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor, me përjashtim të Bosnjë-Hercegovinës, rrezikojnë të humbasin në total më shumë se 333 milionë euro nëse nuk përmbushin objektivat e reformave të lidhura me afatin e qershorit 2026. Bosnjë-Hercegovinës i është dhënë një afat i zgjatur deri në dhjetor. Vendet që nuk përmbushin angazhimet mund të humbasin fondet e alokuara, të cilat më pas mund të rishpërndahen te vendet e tjera të rajonit – një skenar që i vë shtetet e ngadalta përballë presionit të dyfishtë: të reformojnë shpejt ose t’ua lënë paratë fqinjëve.
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, u kërkoi asamblistëve votën për dhënien në shfrytëzim të "Tulltores" për 50 vjet, duke insistuar se toka nuk falet dhe se komuna do të përfitojë mbi 50 milionë euro gjatë kësaj periudhe.

