Një postim në Facebook që kërkonte bllokimin e parlamentit të Kosovës me tridhjetë burra të armatosur çoi te një arrestim për kanosje. I dyshuari, sipas evidencave të sigurisë, figuron në 31 raste kriminale ndër dy dekada..

Një koment i publikuar në një profil në rrjetin social Facebook, ku kërkohej bllokimi i parlamentit të Kosovës nga tridhjetë burra të armatosur, ka përfunduar me pranga. Policia e Kosovës ka arrestuar autorin e dyshuar të postimit, duke e cilësuar rastin si "Kanosje".
Sipas raportit policor, arrestimi është bërë më 10 shtator, në orën 19:15. Në njoftimin e Policisë thuhet se i dyshuari është kosovar dhe se, me vendim të prokurorit, është dërguar në mbajtje. Komenti me përmbajtje kërcënuese ishte publikuar një ditë para arrestimit.
Në postimin e tij, i dyshuari kishte shkruar: "Pom vyejn 30 mashkuj patriot të armatosur mire me bllokue parlamentin e Kosovës, dhe mos me u dorëzue deri sa ti zgjedhin krejt institucionet, përgjegjësin dhe të gjitha obliginet i mar vet".
Identiteti i tij nuk është konfirmuar zyrtarisht nga institucionet; burime brenda Ministrisë së Punëve të Brendshme kanë folur për një person me inicialet J.S.
Peshën e rastit e rëndon e kaluara e regjistruar në evidencat e institucioneve të sigurisë. Sipas këtyre të dhënave, i njëjti person figuron i dyshuar në gjithsej 31 raste kriminale të evidentuara gjatë periudhës 2000-2023. Bëhet fjalë për një gamë të gjerë veprash: vrasje në tentativë, sulm, kanosje, posedim dhe përdorim ilegal i armëve, por edhe vjedhje, zhvatje, pengim të drejtësisë, pengim të personave zyrtarë, prishje të rendit publik dhe dëmtim të pasurisë. Në disa prej rasteve janë evidentuar gjetje të armëve të zjarrit dhe shkarkim i armës.
Dendësia më e madhe e këtyre rasteve i takon periudhës 2000-2011, kryesisht për vepra që lidhen me armë, dhunë, kanosje dhe zhvatje.
Në asnjë prej këtyre rasteve i dyshuari nuk mund të konsiderohet fajtor pa një vendim të formës së prerë të gjykatës. Ndaj tij, për momentin, është shqiptuar vetëm masa e mbajtjes me vendim të prokurorit.
Pushime të ndërprera, togje rezervë nga gjashtë qytete, patrulla para ambasadave dhe një ekip zjarrfikësish në parkingun e EULEX-it: plani operacional i Policisë së Kosovës për ditën kur Dhomat e Specializuara pritet të shpallin aktgjykimin ndaj Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit.

