Pas vdekjes së 32-vjeçarit Arbenit Ahmeti — punëtori i katërt që humb jetën sivjet në KEK — Bordi i Drejtorëve dhe Menaxhmenti kërkojnë llogaridhënie dhe një rishikim të plotë të protokolleve të sigurisë.

Katër punëtorë të Korporatës Energjetike të Kosovës kanë humbur jetën vetëm gjatë këtij viti. I fundit ishte Arbenit Ahmeti, 32-vjeçar, vdekja e të cilit i ka detyruar drejtuesit e ndërmarrjes të mblidhen në një takim të jashtëzakonshëm dhe të njoftojnë masa konkrete për sigurinë në vendet e punës.
Bordi i Drejtorëve dhe Menaxhmenti i KEK-ut vendosën në këtë mbledhje të formojnë një Task Forcë për Sigurinë Industriale dhe Shëndetin në Punë, në përbërjen e së cilës do të përfshihen edhe ekspertë të jashtëm të fushës. Sipas njoftimit të korporatës, ky grup pune do të ketë për detyrë të bëjë "një rishikim të plotë të protokolleve, procedurave, standardeve dhe mekanizmave ekzistues që lidhen me sigurinë dhe shëndetin në punë, me qëllim identifikimin e çdo mangësie dhe marrjen e masave konkrete për përmirësimin e tyre".
Në takim, Bordi u informua nga Menaxhmenti për rrethanat e ngjarjes. "Bordi është informuar nga Menaxhmenti për rrethanat e përgjithshme të ngjarjes. Në vendngjarje janë duke u zhvilluar hetimet përkatëse nga organet kompetente dhe ekspertët e forenzikës, ndërsa të gjitha rrethanat dhe shkaqet e këtij rasti do të ndriçohen plotësisht përmes procesit hetimor", thuhet në njoftim.
Në qendër të reagimit qëndron kërkesa për përgjegjësi. Bordi ka kërkuar që "të adresohen me përgjegjësi rolet, përgjegjësitë dhe llogaridhënia e secilit nivel të përfshirë në proceset e sigurisë në punë". Bordi dhe Menaxhmenti theksuan se siguria dhe shëndeti i punëtorëve do të mbeten prioritet absolut, duke deklaruar se "asnjë objektiv operacional apo prodhues nuk mund të jetë mbi sigurinë dhe jetën e punëtorëve".
KEK-u njoftoi gjithashtu se vlerësimi i rrezikshmërisë së vendeve të punës është kontraktuar gjatë këtij viti dhe aktualisht ndodhet në fazën e zbatimit. "Rezultatet e këtij procesi do të shërbejnë gjithashtu si një nga bazat për ndërmarrjen e masave të mëtejshme për eliminimin dhe reduktimin e rreziqeve në vendet e punës", tha korporata.
Në ditët në vijim, KEK-u ka paralajmëruar se do të njoftojë hapat dhe masat konkrete që do të ndërmarrë për forcimin e sigurisë industriale dhe shëndetit në punë. Korporata shprehu ngushëllime për familjet, të afërmit, miqtë dhe kolegët e viktimave.
Pushime të ndërprera, togje rezervë nga gjashtë qytete, patrulla para ambasadave dhe një ekip zjarrfikësish në parkingun e EULEX-it: plani operacional i Policisë së Kosovës për ditën kur Dhomat e Specializuara pritet të shpallin aktgjykimin ndaj Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit.

