Pas më shumë se gjashtë muajsh lufte mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit, Doha thotë se po diskutohen "ide të reja" me ndërmjetësuesit e tjerë, ndërsa kryeministri katarian u takua në Pekin me ministrin kinez të Jashtëm për zgjidhjen e bllokimit të Ngushticës së Hormuzit.

"Nuk është aspak e pranueshme të kemi këtë gjendje pa luftë dhe pa paqe. Kjo nuk i sjell dobi rajonit, vendeve të rajonit dhe njerëzve", deklaroi të martën Ibrahim Al Hashmi, drejtor i departamentit të medias në Ministrinë e Jashtme të Katarit, duke përshkruar bllokimin që ka pushtuar Gjirin pas më shumë se gjashtë muajsh luftë mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit.
Sipas Ministrisë së Punëve të Jashtme të Katarit, Doha po punon për zgjidhje diplomatike që t'i japin fund kësaj lufte. Al Hashmi tha se mes Katarit dhe ndërmjetësuesve të tjerë "po diskutohen ide të reja" për mënyrat e zgjidhjes së konfliktit. "Katari po punon fort me partnerët e tij, përfshirë Kinën. Po ushtrohen përpjekje diplomatike dhe po diskutohen ide të reja", u shpreh ai.
Prioriteti më urgjent, sipas tij, mbetet rihapja e Ngushticës së Hormuzit, arterie kyçe e transportit detar. "Katari dhe vendet e rajonit janë shumë të interesuara për hapjen e Ngushticës së Hormuzit pa kushte, sepse kjo është një përparësi kryesore", tha Al Hashmi. Ai theksoi gjithashtu se "gjëja më e rëndësishme është të ketë vullnet politik nga të dyja palët për ta zgjidhur problemin", duke iu referuar Iranit dhe Shteteve të Bashkuara.
Diplomacia katariane e ka çuar këtë përpjekje edhe në Pekin. Kryeministri dhe ministri i Jashtëm i Katarit, Sheikh Mohammed bin Abdulrahman bin Jassim Al Thani, u takua të martën me homologun e tij kinez, Wang Yi, ku u diskutua forcimi i sigurisë dhe stabilitetit në rajon, si dhe zgjidhjet për mbylljen e Ngushticës së Hormuzit. "Pata një takim frytdhënës me mikun tim, Shkëlqesinë e Tij Wang Yi, ministër i Jashtëm i Kinës. Diskutuam forcimin e marrëdhënieve dypalëshe në shërbim të interesave tona të ndërsjella, shqyrtuam zhvillimet rajonale dhe ndërkombëtare dhe presim me interes të punojmë së bashku për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare", shkroi kryeministri katarian në rrjetin X.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme foli edhe për luftën në Jemen, ku javën e kaluar u përshkallëzuan luftimet mes forcave besnike ndaj qeverisë së njohur ndërkombëtarisht, e mbështetur nga Arabia Saudite, dhe rebelëve hutinë. Hutinët kanë nisur sulme edhe mbi territorin saudit.
Al Hashmi tha se Katari e dënoi "sulmin e hutinëve ndaj institucioneve civile në Abha, Jizan dhe Najran, dhe Khamis Mushait". Sipas tij, këto sulme kanë "çuar në plagosjen e kaq shumë civilëve dhe kjo ka sjellë probleme me dërgesat në Detin e Kuq dhe është kërcënim për lundrimin ndërkombëtar". Numri i saktë i civilëve të plagosur nuk është bërë i ditur.

Kuvendi Komunal i Prishtinës nuk e miratoi themelimin e ndërmarrjes publike lokale "Pastrimi". Kryetari Përparim Rama akuzoi Vetëvendosjen për "sabotim", ndërsa opozita pretendon se pas projektit fshihet hapja e rrugës për operatorë privatë.

